Ministrja Stublla: Serbia po fsheh trupat e shqiptarëve të vrarë

Ministrja Stublla: Serbia po fsheh trupat e shqiptarëve të vrarë

07:27, 19/11/2020

Serbia është duke fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë në varreza masive në Serbi, ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Haradinaj-Stublla bëri këto komente pas gjetjes së mbetjeve mortore më 16 nëntor në afërsi të Rashkës në Serbi, të cilat dyshohet se i përkasin viktimave shqiptare nga Kosova, njofton REL.

Në një deklaratë për shtyp ajo ka thënë se autoritetet në Serbi “vazhdojnë të fshehin krimet monstruoze të kryera në Kosovë, duke mos treguar vendndodhjen e mbetjeve mortore të qytetarëve të pafajshëm, të vrarë nga forcat paramilitare serbe, trupat e të cilëve janë fshehur qëllimisht në varrezat masive nëpër Serbi.”

Ajo ka thënë se Beogradi ka qenë në dijeni për mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës në vendin e quajtur Kizhevak, afër Rashkës, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të zbardhur këtë krim.

Informacionin mbi zbulimin e mbetjeve mortore në Kizhevak, afër kufirit me Kosovën, fillimisht më 16 nëntor e bëri të ditur drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu. Ai konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës.

Më tej, këtë lajm e konfirmoi edhe kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur në Qeverinë e Serbisë, Velko Odalloviq.

Ai shpjegoi se kërkimet në këtë lokalitet kanë nisur që dhjetë ditë, ndërkaq mbetjet e para mortore u gjetën më 16 nëntor.

Ai gjithashtu njoftoi se zyra e prokurorit përkatës dhe gjykatësi do të përcaktojnë dinamikën e të gjitha aktiviteteve dhe masave që duhen ndërmarrë në atë vend.

Odalloviq po ashtu tha se ky lokalitet ishte i njohur për autoritetet që nga viti 2015 dhe se edhe më herët ishin bërë kërkime aty.

“Nuk mund të ketë as dialog e as marrëveshje përfundimtare me një shtet i cili vazhdon të mos kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë dhe që vazhdon të fsheh gjurmët e gjenocidit”, ka thënë ministrja kosovare për punë të jashtme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco