Lirohet nga burgu Dervish Milici, ‘tmerri’ i shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të luftës

Lirohet nga burgu Dervish Milici, ‘tmerri’ i shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të luftës

14:13, 27/10/2020

Gjatë luftës njihej si tmerri i banorëve të Klinës e fshatrave përreth. Vetëm 20 vjet më vonë, për krimet që i tregojnë edhe shumë dëshmitarë, Dervish Krasniqi, i njohur si “Dervish Milici”, ra në pranga të policisë. Në burg nuk i ra të qëndronte gjatë, pasi që një vendim i Gjykatës e la të lirë. Kush ishte “Milici” që torturoi shqiptarët dhe pse po vazhdon të qëndrojë i lirë? Gazeta Express sjell detajet.

Pavarësisht dyshimeve të mëdha që rëndonin mbi të, qëndrimi në burg Krasniqit i ka zgjatur pak, ndërsa ai është liruar tashmë.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka konfirmuar sot në një përgjigje për Gazetën Express se e ka pranuar propozimin e Prokurorisë Speciale për ta liruar Krasniqin.

Kërkesa e Prokurorisë Speciale për lirimin e Dervish Milicit nga Burgu i Sigurisë së Lartë, ka gjetur miratim nga Gjykata Themelore gjatë ditës së djeshme, megjithatë, ky institucion nuk ka treguar arsyet e këtij vendimi.

“Ju njoftojmë se pas propozimit për ndërprerje të paraburgimit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për të pandehurin D.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 26.10.2020 ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për ndërprerjen e paraburgimit për të pandehurin D.K”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Express.

Gazeta Express jo-zyrtarisht ka marrë vesh se lirimi i Krasniqit është bërë në mungesë të provave. Për këtë temë, gazeta ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Speciale, e cila ka bërë propozimin për ndërprerje të paraburgimit, megjithatë deri në momentin e publikimit të lajmit ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Arrestimi i 71-vjeçarit nga Policia e Kosovës i kishte gëzuar para pak javësh banorët e asaj ane, ku Krasniqi dyshohet të ketë kryer krime.

Banorët e Klinës deklaronin pas arrestimit, se Dervish Milici gjatë viteve të ’90-ta kishte vepruar nën uniformën e ushtrisë serbe, e me urdhra të tyre kishte kryer krime të rënda ndaj banorëve shqiptarë.

Madje, sipas këtyre rrëfimeve, Krasniqi kishte edhe gradë në policinë e asaj kohe.

“Ky ka rrahur shqiptarë sa ka mundur. Ka qenë edhe komandant i policisë në Ujmir të Klinës. Njerëzit tregojnë se ai i ka rrahur njerëzit dhe i ka ulur në shporet”, kishte deklaruar një qytetar.

“Në 12 të natës na kanë dhënë bukë me gips, mua dhe vëllait. Unë s’e kam ngrënë, vëllain e kanë shti me zor. Sot është i sëmurë, vuan prej lukthit”, kështu fliste një qytetar tjetër që kishte qenë një nga personat që thonë se i ka torturuar Krasniqi.

Një qytetar tjetër i kësaj ane, madje kishte thënë se vajzën e Krasniqit e kishte pasur nxënëse, e ai vetë ishte rrahur nga milici i famshëm i asaj kohe.

“Keqtrajtimi dhe rrahja ka ndodhë në stacion, kjo ka qenë urrejtja e parë e kontakti i parë, e kam urrejtje vetëm pse e kam pas nxënëse cikën e tij, ka qenë një nxënëse shembullore, kështu që nuk kam mundur të ballafaqohem me vajzën e tij, me i thanë më rrahu babai yt (Dervishi)”, thotë ai tutje.

Banorët e kësaj pjese të Kosovës, përmendin edhe shifra se sa persona dyshohet t’i ketë keqtrajtuar ai e kë e kishte bashkëpunëtor të ngushtë.

“Më shumë se 1000 shpirta janë torturuar në këtë lokacion nga Hajdar Pashiqi, e me të cilin ka qenë Dervish Krasniqi gjithmonë. Kur e ke pa Hajdarin e ke parë Dervishin”.

Dëshmitari tjetër thoshte se muaj pasi kishte përfunduar lufta, Krasniqi kishte qëndruar i mbyllur.

“Ky pesë-gjashtë muaj pas përfundimit të luftës ka qenë i mbyllur. Më pas doli nga shtëpia”, kishte thënë ai.

Dervish Krasniqi ishte arrestuar nga policia në pikën e kalimit kufitar në Han të Elezit, me dyshimin e bazuar se ka bërë krime lufte në Kosovën e viteve 1998-1999.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco