Forumi i Sigurisë, Avdullah Hoti përplaset ashpër me Vuçiçin

Forumi i Sigurisë, Avdullah Hoti përplaset ashpër me Vuçiçin

10:52, 23/10/2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u përplasën ashpër në forumin e sigurisë të Beogradit, të mbajtur në mënyrë virtuale. Hoti kërkoi njohje reciproke, ndërsa Vuçiç i irrituar i kërkoi shefit të qeverisë së Prishtinës që të mos flasë kurrë më për dy shtete, pasi sipas tij ekziston vetëm një.

Forumi i Sigurisë i Beogradit, “S’ka paqe pa besim”, solli debate dhe tone në larta. KryeministrI Kosovës, Avdullah Hoti, në mënyrë virtuale ishte përballë presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në një panel ku pjesëmarrës ishte edhe i emëruari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Shefi i ekzekutivit të Prishtinës parashtroi idenë e tij për arritjen e marrëveshjes finale. Hoti vlerësoi kontributin e Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, por nënvizoi se mekanizmi kryesor për normalizimin e marrëdhënieve është Bashkimi Europian.

“Ky është vetëm fillimi i një procesi historik të arritjes së marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton edhe njohjen reciproke midis dy vendeve.”

Qëndrimi i Hotit irritoi Vuçiç, që pohoi se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet i pavarur.

“Hoti theksoi disa herë: dy shtete-dy shtete, dy shtete-dy shtete, në këtë takim por edhe në takime të tjera. I them të mos e përdorë këtë mijëra herë. Nëse do afrim mes nesh mos e thuaj. Ne e dimë çfarë mendon. Dy shtete-dy shtete, dy shtete-dy shtete. Nuk ka dy shtete, ka një shtet që është anëtar i OKB-së në përputhje me Rezolutën 1244.”

Lajçak duke parë këtë situatë, nënvizoi se zgjidhja mes Prishtinës dhe Beogradit është e mundshme, por paralajmëroi se do të jetë një kompromis i dhimbshëm. Pjesë e forumit ishte dhe Ryan Tully nga Këshilli për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco