Kosovë: 10% e fëmijëve të kthyer nga Siria me trauma dhe nuk flasin shqip

Kosovë: 10% e fëmijëve të kthyer nga Siria me trauma dhe nuk flasin shqip

11:20, 21/10/2020

Gati 10 për qind e fëmijëve të kthyer vitin e kaluar nga vatrat e luftës, janë duke u rritur nga gjyshërit e tyre, meqë në të shumtën e rasteve u kanë vdekur prindërit. Këta fëmijë janë duke përjetuar çrregullime posttraumatike, dhe kanë probleme në mësimin e gjuhës shqipe. Për ta po kërkohet trajtim nga institucionet e vendit, meqë ende nuk po vijojnë mësimin në klasë të rregullta.

Kështu u tha në publikimin e raportit me temën "Vlerësimi i nevojave të fëmijëve dhe komunitetit të kthyer nga zonat e konfliktit dhe institucioneve në ofrim të shërbimeve për komunitet: Rishikim për procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit".

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës tha se ky është projekt 18 mujor, është i pari i këtij lloji, i cili tregon se si duhet të trajtohen fëmijët e kthyer të cilët janë të traumatizuar.

"Një pjesë e programit i është dedikuar këtij hulumtimi, që gjate intervenimit aktorët të kenë të qartë se ku duhet të investohet dhe ku janë pengesat. Studimi i ka përfshirë 30 mijë respodentë. Vetëm 3 familje të kthyer kemi arritur t'i telefonojmë", ka theksuar ajo.

Ndërsa, eksperti ndërkombëtar Moshe Landsom theksoi se janë intervistuar politikëbërësit dhe të rriturit të cilët kanë pasur kontakte direket me fëmijët e të kthyerve. Ai ka theksuar se ka qenë e vështirë procesi i intervistimit meqë shumë prej tyre kanë gjendje jo të mirë ekonomike.

"10 për qind prej të ardhurve janë duke u rritur nga gjyshërit, sepse prindërit kanë vdekur ose për disa arsyeje tjetër. Këta fëmijë kanë më pak probleme se sa ata që janë rritur në familjen e tyre origjinale.

Shumica e fëmijëve janë në shkolla në klasë që janë më të ulëta se sa mosha e tyre. Sepse kur kanë qenë në Siri nuk kanë qenë në shkollë fare. Ata kanë pasur probleme me mësimin e gjuhës shqipe. Disa shkolla nuk i kanë vendosur fare në klasa të rregullta, ata kanë marrë vetëm mësime private, mes vete. Kjo sipas mendimit tim duhet të ndryshojë. Të gjithë kanë nevojë për ndihmë në mësime të ndryshme", ka thënë ai.

Sipas tij, çështja kryesore me këta fëmijë janë traumat në të cilat kanë kaluar këta fëmijë.

"Shumica dërrmuese e tyre kanë çrregullime të traumave posttraumatike. Ne kemi intervistuar dy ekspertë të çështjeve fetare, ata kanë pasur lidhje me familjet në fillim por pastaj janë refuzuar nga familjet. Por nga mësuesit duket se fëmijët janë duke u integruar shumë ngadalë në ambientet e klasës. Ende në këtë moment kemi këtë problemin e kontaktit me familjen sa i përket islamit. Gratë nuk duanë të kenë kontakt me meshkujt. Burrat e gjitha grave janë ende në burgje", theksoi ai.

Eksperti ndërkombëtar ka kërkuar nga institucionet lirimin me kusht të burrave të arrestuar, sepse sipas tij këta duhet të fuqizohen ekonomikisht dhe të punojnë.

Ndër tjera, tha se për këto familje të kthyera duhet të bëhet koordinimi nga ministritë për t'u kujdesur për to.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco