Ujmanit të quhet ‘Liqeni Trump’?/ Hoti reagon pas propozimit të Grenellit

Ujmanit të quhet ‘Liqeni Trump’?/ Hoti reagon pas propozimit të Grenellit

22:37, 24/09/2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se ka mirëpritur propozimin e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni Trump.

Ai ka thënë se kjo gjë mund të bëhet “në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”.

“Në shenjë nderimi për rolin e tyre vendimtar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen e shtetësisë së Republikës sonë anekënd botës, ne i kemi pagëzuar sheshet më të bukura të qyteteve tona me emrat e personaliteteve më të shquara të Shteteve të Bashkuara Amerikës, si: Presidenti Klinton, Xhorxh Bush, Senatori Bob Dol, Sekretarja Medlin Olbrajt etj”, ka thënë Hoti përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Komenti i tij ka ardhur pasi Grenell ka thënë se si pala kosovare, ashtu edhe ajo serbe janë pajtuar që Liqeni i Ujmanit ta ketë emrin, Liqeni Trump.

“Si të quhet liqeni që është në Kosovë dhe Serbi, ka qenë çështje serioze, pavarësisht kompromisit të krijuar nga Shtetet e Bashkuara për të nisur një studim fizibiliteti për të krijuar më shumë vende pune dhe energji në rajon… andaj të dyja palët janë pajtuar për një emër të ri: Liqeni Trump”, ka thënë Grenell, përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

 

 

Studimi i fizibilitetit në Liqenin e Ujmanit është vetëm një prej pikave të marrëveshjes së 4 shtatorit, që është arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Kryeministri Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.

Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.

Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guxim drejt normalizimit të marrëdhënieve./ Rel/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco