22 vjet nga vrasja, ngrihet shtatorja e Heroit të Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqit

22 vjet nga vrasja, ngrihet shtatorja e Heroit të Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqit

12:55, 21/09/2020

Kryeministri i Kosovës Avdulla Hoti ka marrë pjesë sot në ceremoninë e ngritjes së shtatores së Heroit të Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqit, në Vushtri.

Në fjalën para pjesëmarrëve, Hoti tha:

"Jam vërtet i nderuar që sot, këtu në Vushtrinë e Hasan Prishtinës, mund t’ju drejtohem me një fjalë rasti, në këtë ceremoni të veçantë e shumë të rëndësishme jo vetëm për qytetin tuaj, por për të gjithë Kosovën, në ceremoninë e përurimit të shtatores së Heroit të Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi.

Përtej simbolikës së zakonshme të nderimit të një njeriu kaq mashështor si Ahmet Krasniqi, ky akt nënkupton rikthimin e tij ngadhënjyes në vendlindje, rikthimin te njerëzit e vet, që e duan dhe e njohin si komandant të parë të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, si nismëtar institucional i luftës për liri dhe pavarësi, si Hero i Republikës së Kosovës.

Prandaj, dita e sotme, për të gjithë ne, për të gjithë ata që ia duan të mirën Kosovës, shënon rilindjen shpirtërore të Kolonel Ahmet Krasniqit, shënon kthimin e tij përfundimtar ndër ne, ashtu siç ishte ai në jetë, i urtë dhe hijerëndë, vizionar dhe profesionist i shkëlqyeshëm ushtarak, njeri i fjalës dhe i sakrificës.
Përtej kësaj, Kolonel Ahmet Krasniqi, përveç profesionizmit dhe disiplinës ushtarake, shquhej për devotshmërinë ndaj atdheut dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Nata e 21 shtatorit të vitit 1998 ishte tragjike për familjen Krasniqi, për luftëtarët e lirisë së Kosovës, për mbarë kombin shqiptar. Vrasja tinëzare e kolonel Ahmet Krasniqit ishte një goditje e tmerrshme ndaj përpjekjeve që po i bënin institucionet e Republikës së Kosovës që lufta për liri të udhëhiqej nga atdhetarë të dëshmuar e nga ushtarakë profesionistë.

Pikërisht këto dy cilësi, atdhetarizmi dhe përgatitja ushtarake, ishin halë në sytë e kundërshtarëve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, të cilët, në natën e fundit të verës së vitit 1998, ia morën jetën atij që i jepte jetë shpresës sonë për liri.

Ahmet Krasniqi, i brumosur me ndjenjat më të larta të atdhedashurisë, i rritur në gjirin e familjes së patriotit Aziz Zhilivoda, bashkëpunëtor i afërt i patriotit të devotshëm Metush Krasniqi, ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat studentore të vitit 1968. Gjatë viteve të karrierës udhtarake në ish-Jugosllavi, ai pati një varg krajatash, pikërisht për shkak se mbrojti me dinjitet kauzën e lirisë së Kosovës.

Dallgët e asaj kohe kaotike, kur ish-federata tashmë po zhbëhej, e çuan edhe në Kroaci, ku ai iu bashkangjit luftës së popullit kroat kundër agresionit të Millosheviqit. Me të mbaruar lufta atje, ai vihet në kontakt me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila e emëroi Ministër të Mbrojtjes dhe Komandant të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kosovës, detyrë të cilën Ahmet Krasniqi e kreu me nder deri në frymën e fundit.

Më lejoni që këtë fjalë timen ta përfundoj duke cituar Presidentit historik të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili, më 21 mars 2003, në pesëvjetorin e rënies së Kolonel Ahmet Krasniqi, ndër të tjera, theksonte: "Kolonel Ahmet Krasniqi punoi me devotshmëri dhe përkushtim në formimin dhe forcimin e forcave mbrojtëse të Kosovës, në kuadër të institucioneve legale të vendit tonë. Me kulturën e tij ushtarake, kolonel Krasniqi punoi në krijimin e një ushtrie me aftësi të fuqishme mbrojtëse dhe të disiplinuar, çfarë i duhet një vendi, prandaj i shprehim nderimin tonë për këtë. Kolonel Krasniqi ishte njeri i matur, burrë trim dhe ushtarak i rryer. Në jetë ishte burrë i urtë dhe mbushte jetën e tij me interesime e pasione për letërsinë e artin."

Zoti e bekoftë Kolonel Ahmet Krasniqin!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!"

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco