'Hoti humbi mundësi të madhe në SHBA, firmosi aty ku nuk figuronte Republika e Kosovës'

'Hoti humbi mundësi të madhe në SHBA, firmosi aty ku nuk figuronte Republika e Kosovës'

07:35, 12/09/2020

Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, tha në intervistë se delegacioni i Kosovës në SHBA ka humbur një mundësi të madhe për të fituar njohjen e Kosovës nga Serbia. 

Radio Evropa e Lirë ngriti pyetjen: "Zonja Osmani, pas takimit të delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ju keni shprehur pakënaqësi me arritjet e Kosovës atje. Megjithatë, në Shtëpinë e Bardhë, dita kur është arritur marrëveshja për normalizimin ekonomik, është vlerësuar historike. A keni pritur më shumë?"

Zonja Osmani tha: "Mendoj se është tejet me rëndësi për çdokënd në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës që ta bëjë dallimin e qartë këtu, ndërmjet vlerësimit të rolit të Shteteve të Bashkuara, në njërën anë, dhe vlerësimit të rolit të delegacionit të Kosovës, në anën tjetër.

Natyrisht që Kosova ka pritur më shumë, për shkak se vetë Qeveria e Kosovës i ka ngritur pritshmëritë.

Në rast se shihni secilin raportim të kryeministrit aktual në Kuvendin e Kosovës, do ta shihni që në çdo moment, ai ka garantuar se do të nënshkruajë vetëm marrëveshje për njohje reciproke, ka garantuar se nuk do të preket Kushtetuta e vendit, ka garantuar se nuk do të pranojë mini-Shengen, ka garantuar se nuk do të heqë dorë nga emërimi kushtetues i Republikës së Kosovës, ka garantuar se nuk do të heqë dorë nga e drejta e Kosovës që të ketë njohje dhe anëtarësime në organizata, siç parashihen në Deklaratën e Pavarësisë, por edhe në Kushtetutën e Kosovës.

Kurse, në fund ka qenë delegacioni i Kosovës ai që ka nënshkruar, për shkak të, natyrisht edhe kërkesave të Serbisë, ku nuk figuron Republika e Kosovës, nuk figuron njohja reciproke.

Unë mendoj se këtu ka humbur delegacioni i Kosovës një mundësi të madhe, sepse në qoftë se është një vend ku Kosova ka pasur mundësi t’i shtyjë interesat e saj, por edhe të rajonit, pastaj si rrjedhojë, përpara, ka qenë pikërisht SHBA-ja, sepse kjo është dëshmuar historikisht.

Pra, përderisa kritika ime e shëndoshë dhe e domosdoshme në një demokraci, ka të bëjë me mungesën e përvojës së delegacionit tonë dhe rrjedhimisht dështimin e tij që t’i realizojë ato që i ka premtuar, në asnjë mënyrë kjo nuk ka të bëjë me rolin e SHBA-së.

Përkundrazi, SHBA-ja ka ofruar një dokument ku palëve u janë referuar si Republikë e Kosovës dhe Republikë e Serbisë. Rrjedhimisht, ka treguar edhe një herë që pritshmëritë e saj janë që të dyja shtetet ta njohin njëra-tjetrën.

E dyta, Shtetet e Bashkuara nuk kanë shtyrë përpara çështje që kanë të bëjnë me kufijtë, apo me Asociacionin.

Këto, mendoj, se duhet ta bëjnë dallimin e qartë.

Vetëm pse delegacioni ynë nuk ka arritur ta bëjë maksimumin, ne në asnjë mënyrë nuk do të duhej që kjo kritikë ndaj delegacionit të Kosovës - që në fakt mund ta ndihmojë atë për të ardhmen që të veprojë më mirë - të konsiderohet si kritikë ndaj SHBA-së, e cila, po e them gjithnjë atë që e kam thënë në dy dekada që jam në politikë, ka rol të pazëvendësueshëm dhe ka rol ekzistencial për shtetësinë tonë dhe për suksesin e këtij shteti sa i përket fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco