SHBA merr përsipër financimin e autostradës dhe hekurudhës Kosovë  - Serbi

SHBA merr përsipër financimin e autostradës dhe hekurudhës Kosovë - Serbi

07:14, 10/09/2020

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se nga projektet infrastrukturore, të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, do të krijohet një ndërlidhje më e mirë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, me finalizimin e projekteve hekurudhore, autostradës dhe të tjerave që janë pjesë e marrëveshjes në Uashington, do të krijohen shumë vende të reja të punës dhe mundësi për ndërmarrësit e rinj.

Ministri Abrashi bën të ditur se Autostrada e Paqes, lidhja hekurudhore Prishtinë-Merdare dhe lidhja hekurudhore Nish-Prishtinë janë projekte që synohen të financohen nga Korporata Ndërkombëtare e SHBA-së për Zhvillim Financiar.

Abrashi flet edhe për linjën ajrore Prishtinë-Beorgrad, për të cilën, siç thotë, është duke u përpiluar një marrëveshje me kompaninë ajrore Lufthansa. Sipas tij, kjo linjë ajrore do të nisë në kohë rekorde.

Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, në marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia janë zotuar se do t’i zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara më herët gjatë këtij viti për operacionalizimin e Autostradës së Paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare dhe lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë. Cili është plani për këto?

Arban Abrashi: Qeveria e Kosovës ka paraqitur projekte të ndryshme në vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; mes tjerash, edhe këto projektet që kanë qenë të iniciuara më herët si ide në letrën e qëllimit të mirë, të muajit shkurt të këtij viti. Ne kemi paraqitur projekte të mëdha infrastrukturore, që do të bëjnë një ndërlidhje më të mirë në Ballkan, në mënyrë që të krijohen më shumë vende të reja të punës dhe mundësi për ndërmarrësit e rinj dhe njerëzit në Ballkan.

Projektet që kanë kaluar, ato që shihen në publik dhe që kanë kaluar në Shtëpinë e Bardhë, pranë presidentit të SHBA së, Donald Tramp, janë: autostrada Prishtinë-Merdare, ose pjesa e mbetur e autostradës “Ibrahim Rugova”, që ka një gjatësi prej 27 kilometrash. Dhe, nëse kryhen procedurat shpejt, besoj që brenda 12 muajsh përfudnon.

Projekti i dytë ka të bëjë me hekurudhat e mbetura, të parehabilituara, që janë jashtë funksionit - [ajo] Fushë Kosovë-Meradre, e cila ka një gjatësi prej 45 kilometrash. Këtu e kemi lënë të hapur mundësinë, nëse traseja ekzistuese do të jetë apo do të bëhet trase tjetër, pasi që dihet që në pjesën që kalon nëpër Prishtinë, ky rrjet apo kjo rrugë ka pasur ndërhyrje të mëdha. Po ashtu edhe tuneli që është i dëmtuar, merr një kosto të madhe të rehabilitimit. Pra, varësisht nëse është kjo trase apo tjetër, ndryshon edhe kostoja.

Sa është kostoja e këtyre dy projekteve?

Arban Abrashi: Ne kemi një studim fizibiliteti, të fundit për trasenë ekzistuese, që nënkupton edhe rehabilitimin e tunelit që potencova më lart - përafërsisht kap shumën e rreth 150 milionë eurove. Ndërsa, për autostradën e mbetur 27 kilometra Prishtinë-Merdare kemi një kosto të përafërt, që është rreth 240 milionë euro.

Radio Evropa e Lirë: Kush do t’i financojë këto projekte?

Arban Abrashi: Janë projekte që synohen të financohen nga Korporata Ndërkombëtare e SHBA-së për Zhvillim Financiar. Kjo është korporata që ka premtuar financimin e këtyre projekteve. Ajo ka qenë preznete edhe në Shtëpinë e Bardhë, kur janë diskutuar të gjitha këto projekte.

Radio Evropa e Lirë: Përveç këtyre dy projekteve, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik. Çfarë parasheh ky projekt?

Arban Abrashi: Ky është projekti që ne e kemi futur. Mendoj se Kosova dhe Shqipëria do të jenë përfitueset më të mëdha, përkundër asaj që po dëgjoj zëra të paqëndrueshëm, ku thuhet se po i mundësohet dalja Serbisë në det, ku tash Serbia është e lidhur në det përmes Portit të Tivarit në Mal të Zi, por edhe në rrugë të tjera.

Ndërtimi i një hekurudhe nga Prishtina deri në portin e Adriatikut, pra në bregdetin shqiptar, rrit pozitën gjeostrategjike dhe Kosova po bëhet një vend tranzit i mallrave për Ballkan dhe Evropën Qendrore.

Ne, me marrëveshje, jemi pajtuar për një studim fizibiliteti dhe shpresoj të kryhet shpejt, pasi që një delagacion nga SHBA-ja synon të vijë gjatë shtatorit.

Po ashtu, një projekt që nuk po përmendet e që ka peshë të madhe në të bërit biznes në Kosovë dhe në përgjithësi në zhvillimin e vendit, është linja e gazsjellësit. E kemi diskutuar edhe më herët, por është një projekt që ka qenë pjesë e diskutimeve dhe e investimeve të SHBA-së në Kosovë.

Ideja themelore është të ndërtohet gazsjellësi nga Greqia në Kosovë, ndërsa lidhja jonë të bëhet në Shkup.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco