Shifra alarmante/ Konfirmohen 72 të vdekur nga COVID-19 brenda një jave në Kosovë

Shifra alarmante/ Konfirmohen 72 të vdekur nga COVID-19 brenda një jave në Kosovë

20:48, 02/08/2020

Në 24 orët e fundit, 13 persona të konfirmuar me Covid-19 kanë vdekur në Kosovë, duke e rritur numrin e përgjithshëm në 249.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, të gjithë kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

E në 24 orët e fundit, nga 486 mostra të testuara, pozitive kanë rezultuar 245 raste, e totali arriti në 8 mijë e 799.

Prishtina vazhdon të jetë e para me më së shumti raste, me 71 të konfirmuara, më pas është komuna e Podujevës me 24 raste, e ajo e Gjilanit me 18 raste.

Që nga e hëna e deri të dielën në Kosovë kanë vdekur, 72 persona të infektuar me koronavirus, dhe janë konfirmuar 1 mijë e 662 raste të reja.

20 persona vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore, me respiratorë e 390 janë me oksigjenoterapi.

Dhe pavarësisht numrave të lartë javëve të fundit, me të vdekur e të infektuar, shumë prej qytetarëve nuk shqetësohen aq. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, më shumë se 13 mijë persona kanë dalë nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Sipas Policisë së Kosovës, në po këtë periudhë kohore, kanë hyrë në Kosovë më shumë se 6 mijë persona. Derisa në raportin 24-orësh të Policisë, po ashtu përmendet se forcat e rendit u desh të ndërhynin dhe të ndalin disa ahengje familjare në Komunën e Gjakovës e janë arrestuar 5 persona, të cilët më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, të dielën foli rreth inspektimit të përbashkët me Inspektoratin qendror dhe atë lokal, që e kishte ndërmarrë të shtunën mbrëma, mbështetur nga Policia. Ai ka shkruar në Facebook se shumë kafene u gjobitën dhe u mbyllën të shtunën mbrëma, për shkak të mosrespektimit të masave.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco