VIDEO/ Deputeti pretendoi se e goditën brenda Kuvendit, ja çfarë regjistruan kamerat e sigurisë

VIDEO/ Deputeti pretendoi se e goditën brenda Kuvendit, ja çfarë regjistruan kamerat e sigurisë

17:14, 29/07/2020

Pamjet e kamerave nga korridori i Kuvendit të Kosovës janë bërë publike pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Gazmend Gjyshinca u ankua se dy deputetët e LDK-së, Kujtim Shala e Arben Gashi e sulmuan fizikisht.

Sipas tij, ata i shkaktuan edhe dëme fizike ndërsa theksoi se gjithçka mund të vërtetohet nga kamera.

Por nga pamjet duket se nuk ka pasur asnjë konflikt fizik mes tyre.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit, ku ishte thirrur për raportim Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, kishte kaluar me tensione mes deputetëve.

Kryesisht, akuza e kundër-akuza kishin shkëmbyer deputetët e LDK-së, Kujtim Shala e Arben Gashi me deputetin e Vetëvendosjes, Gazmend Gjyshincën.

Tensioni kishte vazhduar edhe pasi që ishte mbyllur mbledhja e Komisionit.

Lëvizja Vetëvendosje thirri konferencë të jashtëzakonshme për media, pas mbledhjes, në të cilën folën Fitore Pacolli dhe Gazmend Gjyshinca, përderisa në sfond të tyre ndodhej një auto-ambulancë.

Autoambulanca ishte thirrur nga Grupi Parlamentar i VV-së për t’i dhënë ndihmën e parë deputetit Gjyshinca.

Sipas deputetëve të VV-së, pas mbledhjes, Kujtim Shala e Arben Gashi kanë sulmuar fízikisht deputetin Gjyshinca.

Madje, ata thanë se për ta dëshmuar këtë dhunë mbi krahun e djathtë të deputetit, kanë dëshmi të mjekëve.

Kjo u demantua pas disa orëve nga Shala e Gashi, por megjithatë, kjo ngjarje u bë ngjarja kryesore e ditës së djeshme.

Gazeta Express ka arritur ta sigurojë këtë video, ku shihet momenti i përplasjes verbale mes deputetëve, por në asnjë moment nuk duket që dikush ta ketë sulmuar fizikisht deputetin Gjyshinca.

Ajo që shihet është se pasi që Gjyshinca del nga salla e mbledhjes së Komisionit, Kujtim Shala i afrohet me shpejtësi duke i thënë diçka, por jo duke e sulmuar fizikisht.

Pastaj aty bëhet rrëmujë dhe deputetët e LDK-së, Kujtim Shala, Arben Gashi e Doruntinë Maloku largohen nga korridori; aty ku ata po prisnin për ta takuar Alush Gashin, Këshilltarin e Kryeministrit Hoti.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco