Kosovë - Serbi rifillojnë bisedimet në Bruksel, Thaçi vazhdon intervistën në Hagë

Kosovë - Serbi rifillojnë bisedimet në Bruksel, Thaçi vazhdon intervistën në Hagë

08:11, 16/07/2020

Vazhdimi i dialogut në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është paraparë të fillojë sot nga ora 16:00, është bërë e ditur nga Bashkimi Evropian, njofton RTK.

Sipas njoftimit nikoqir i takimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

“Pas rikthimit virtual të dialogut Beograd – Prishtinë të ndihmuar nga Bashkimi Evropian, të dielën më 12 korrik, një takim i dytë i nivelit të lartë do të mbahet në Bruksel të enjten më 16 korrik. Nikoqir i takimit me prani fizike të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Dialogu është paraparë të fillojë në orën 16:00″, thuhet në njoftim.

“Përfaqësuesi i lartë do të japë një deklaratë për media para fillimit të takimit dhe përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, në fund të takimit. Për shkak të kufizimeve të lidhura me koronavirus, nuk do të ketë qasje të mediave në ndërtesën e EEAS-së”, thuhet në njoftim. 

PRESIDENTI THAÇI EDHE SOT VAZHDON INTERVISTIMIN NË HAGË

Presidenti i vendit Hashim Thaçi edhe gjatë ditës së sotme do të intervistohet nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Ai për tri ditë rresht është intervistuar nga 6 orë, teksa të martën dhe të mërkurën nuk u prononcua për media. Thaçi është paraqitur në Hagë me ftesë të Prokurorit të Specializuar, njofton RTK.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se më 24 prill ka propozuar një aktakuzë për kinse krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Pas intervistimit të hënën, në ditën e parë, Thaçi ka thënë se është diskutuar për “çështje sqaruese, teknike” dhe për interesimin e prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Të martën, Thaçi nuk është deklaruar për media. Aktakuza e paraqitur ka kaluar tani në duart e gjykatësit të procedurës paraprake, i cili ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për ta konfirmuar ose hedhur poshtë. Thaçi ka thënë më herët se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco