Komunat në veri të Kosovës futen në karantinë Nga mbledhja e Shtabit të Krizës së komunave veriore të Kosovës

Komunat në veri të Kosovës futen në karantinë

07:22, 08/07/2020

Shtabi i Krizës për komunat veriore të Kosovës, ka vendosur që të kufizojë lëvizjen e qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Gjithashtu gjatë kësaj kohe ndalohet hyrja apo dalja nga katër komunat me shumicë serbe, përveç personave me leje të veçantë.

Katër komunat me shumicë serbe në veri janë: Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku e Leposaviqi.

Vendimi do të vlejë për shtatë ditët e ardhshme, njofton REL. Sipas anëtarëve të Shtabit të Krizës, kjo masë është vendosur për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus.

Vendimet i bëri të ditura në një konferencë për media, Goran Rakiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal të Kosovës.

“Masat e karantinës janë vendosur në katër komunat veriore”, tha ai.

Nga 61 pacientë të testuar të hënën, 53 dolën pozitiv në koronavirus, tha Instituti i Shëndetit Publik në veri të Mitrovicës, i cili vepron nën sistemin shëndetësor serb. Rezultatet e analizave arriten nga laboratori i Institutit Veterinar të Kraljevës.

Rezultatet për 62 pacientë që janë testuar të martën, ende nuk kanë arritur.

Qytetarëve u është bërë thirrje të sillen me përgjegjësi, të veshin maska mbrojtëse, të respektojnë distancën fizike dhe të ruajnë higjenën personale.

Për shkak të rritjes së numrit të pacientëve, Qeveria e Kosovës ka miratuar një seri masash që synojnë parandalimin e përhapjes së koronavirusit, të cilat kanë filluar të zbatohen më 6 korrik.

Në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri, ku ka numër më të madh të të infektuarve, është kufizuar tërësisht lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00.? Këto masa, tani do të vlejnë edhe për komunat në veri.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se deri më 6 korrik, 79 persona kanë vdekur nga koronavirusi, ndërkaq numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 3.703.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco