Vdekjet e dyshimta në Infektivin e Kosovës, Zemaj: Secili do të mbajë përgjegjësitë që i takojnë

Vdekjet e dyshimta në Infektivin e Kosovës, Zemaj: Secili do të mbajë përgjegjësitë që i takojnë

13:56, 07/07/2020

Ministrit i Shëndetësisë së Kosovës, z. Armend Zemaj, iu drejtua qytetarëve sot në konferencën e shtypit, lidhur me menaxhimin e situatës së rënduar prej koronavirusit në vend.Pas dia vdekjeve të dyshimta të pacientëve në Klinikën Infektive, Zemaj tha se "secili do t'i bartë përgjegjësit që i takojnë dhe në ditët në vazhdim do të bëjmë publike edhe veprimet e tjera konkrete."

Ministri Zemaj vërejti: Jemi sot këtu për t'iu kushtuar vëmendje disa çështjeve me interes për publikun që lidhen me menaxhimin e situatës në shëndetësi dhe në veçanti në rritjen e fuqisë tonë të reagimit ndaj Covid-19.

Llogaridhënia

Ditëve të kaluara kemi pasur disa raste të vdekjeve në Klinikën Infektive për të cilat janë ngritur dyshime të ndryshme. Qytetarët kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën se çfarë ka ndodhur me më të afërmit e tyre në Klinikën Infektive.

Pandemia nuk duhet të na humb njerëzoren dhe përtej përgjegjësive profesionale kemi obligim moral të dimë në detaje se çfarë ndodhë në institucionet tona shëndetësore.

Motrat e mjekët të cilët këto ditë kanë treguar përkushtim maksimal dhe përgjegjësi të lartë në kryerjen e detyrës dhe me të drejtë bartin epitetin e heronjve që kanë barrën kryesore për t’u përballur me pandeminë. Heronjve tanë nuk mund t’ua humbin kontributin për një ditë.

Ne vlerësojmë sakrificën e pashoq pavarësisht nevojave të mëdha për investime e përmirësim në sistemin tonë shëndetësor.

Kemi obligim të ndërtojmë një sistem shëndetësor në shërbim të qytetarëve ku llogaridhënia nuk është vetëm një akt moral që përfundon me një kërkim falje.

Shkarkimi i drejtorit Basri Sejdiu është vendim për t’u përshëndetur dhe duhet të përcillet me veprime konkrete për të vënë drejtësi dhe për të qartësuar situatën e krijuar.

Ne do të jemi transparent dhe do të kërkojmë transparencë të plotë në mënyrë që të mos krijohen paqartësi tek qytetarët.

Secili do t'i bartë përgjegjësit që i takojë dhe në ditët në vazhdim do të bëjmë publike edhe veprimet e tjera konkrete.

Si ministër i Shëndetësisë brenda kompetencave që më takojnë kam kërkuar raportin nga prokuroria për rastin që ka ndodhur në Klinikën Infektive dhe nga organet e tjera të drejtësisë dhe jam në koordinim të plotë me to.

Asnjëherë nuk duhet të ngutemi me deklarime politike për këtë situatë pasi askujt nuk i bënë favore situata e tilla, kështu që duhet të jemi të matur me qëndrime dhe drejtësia ta bëjë punën e saj.

Shtimi i kapaciteteve

Shtimi i kapaciteteve në shëndetësi është prioritet për tu përballur me pandeminë dhe do të mobilizojmë maksimalisht resurset ekzistuese, por edhe t’i shtojmë ato varësisht nevojave të institucioneve shëndetësore.

Tashmë kemi vendosur të angazhojmë mbi 200 profesionist shëndetësorë në të gjithë Kosovën për tu përballur me këtë situatë. Në mesin e tyre ka mjekë specialistë, mjekë të përgjithshëm, infermierë, laborant, inspektor sanitar dhe staf mbështetës.

Prioritet u kemi dhënë profileve që lidhen me menaxhimin e drejtpërdrejt të pandemisë Covid-19.

Ata do të jenë në dispozicion të qytetarëve jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Qendra e tjera varësisht prej kërkesave dhe specifikave që i kanë institucionet shëndetësore.
Përveç kësaj do të zgjidhim njëherë e përgjithmonë problemin e specializantëve, të cilët për vite të tëra nuk janë angazhuar në profesionin që janë përgatitur.

Sot kam themeluar Bordin e ri për Shkollim Specialistik me qëllim të adresimit të kësaj çështjeje dhe mjekëve që presin për specializim t'u bëjmë zgjidhje.

Nuk mund t’i lëmë mjekët, infermierët e profesionistët tanë shëndetësorë të ikin nga Kosova vetëm se shteti nuk i trajton seriozisht kërkesat e tyre.
Ne kemi obligim të bëjmë zgjidhje dhe unë e kam marrë përsipër këtë barrë.

Duke forcuar shëndetësinë mbrojmë jetët e qytetarëve jo vetëm nga ky virus por edhe nga sëmundjet tjera edhe plotësojmë kërkesat e qytetarëve për trajtim të barabartë.

Prandaj, në frymën e angazhimeve tona të përbashkëta, të zbatojmë masat e ndërmarra nga Qeveria e vendit dhe rekomandimet e IKSHPK-së.

Të mbajmë distancë fizike, të bartim maska mbrojtëse dhe ta mirëmbajmë higjienën individuale dhe kolektive. Për njëri-tjetrin, për familjet tona, për fëmijët tonë."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco