BE i mbyll dyert Kosovës prej numrit të madh të të infektuarëve

BE i mbyll dyert Kosovës prej numrit të madh të të infektuarëve

07:26, 29/06/2020

Kufijtë e BE-së do të mbesin edhe për një kohë të mbyllur për qytetarët e Kosovës për udhëtime që nuk janë të domosdoshme. Edhe pse pritej që pas 1 korrikut të hapen kufijtë e jashtëm të BE-së për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pra edhe për Kosovën, kjo nuk do të ndodhë për shkak të keqësimit dramatik të situatës epidemiologjike dhe rritjes jashtëzakonisht të madhe të numrit të rasteve, shkruan Koha Ditore.

Kosova ka situatën momentalisht më të vështirë në Evropë. Ka numër të madh të rasteve të reja të infektimeve dhe atë në numër shumë të vogël të testimeve. Vetëm në Maqedoni dhe në Suedi numri i të infektuarve për kokë banori në 14 ditët e fundit ka qenë më i madh. E pikërisht numri i të infektuarve në dy javët e fundit për 100.000 banorë është kriteri kryesor për të vendosur një shtet në listën e atyre për të cilat BE-ja rekomandon heqjen e kufizimeve. Ky numër duhet të jetë i përafërt apo më i vogël sesa mesatarja e Bashkimit Evropian. Kjo mesatare më 15 qershor ishte 16 raste në 100.000 banorë, ndërsa tash ka rënë edhe më shumë në BE, ndërkohë që është rritur shumë në vendet e rajonit të Ballkanit.

Në një tabelë të përgatitur nga Instituti John Hopkins, Kosova në 14 ditët e fundit ka pasur 47 raste të infektimeve për 100.000 banorë. Maqedonia 98, Shqipëria 29, Bosnjë-Hercegovina 32, Serbia 20 dhe Mali i Zi 19. Për të gjitha këto shtete numri është mbi mesataren e BE-së, e cila, sipas të njëjtës tabelë, ka qenë 13 raste. Prandaj duket i çuditshëm propozimi që Serbia dhe Mali i Zi të jenë në listën e vendeve për të cilat rekomandohet heqja e kufizimeve nga 1 korriku. Sidomos pasi në Serbi situata po keqësohet e madje edhe shumë anëtarë të Qeverisë janë të infektuar. Ka diplomatë të cilët dyshojnë edhe në saktësinë e të dhënave.

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së kanë diskutuar në Bruksel të premten deri vonë në mbrëmje më shumë së gjashtë orë për këto rekomandime. Në fund i kanë miratuar propozimet për të cilat gjatë fundjavës duhet të shprehen kryeqytetet e vendeve anëtare. Pas kësaj, Presidenca kroate do ta vërë këtë propozim në procedurë të shkruar të hënën, në mënyrë që të miratohet para 1 korrikut, kur edhe duhet të hyjë në fuqi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco