Kurti dhe Lajçak flasin për dialogun Kosovë-Serbi dhe përbërjen e ekipit negociator nga Kosova

Kurti dhe Lajçak flasin për dialogun Kosovë-Serbi dhe përbërjen e ekipit negociator nga Kosova

17:44, 09/04/2020

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, përmes së cilës i ka uruar atij marrjen e re të detyrës dhe suksese.

Kryeministri në detyrë Kurti, përmes kësaj letre është shprehur se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve tona.

“Si qeveri në detyrë e Republikës së Kosovës, jemi të përkushtuar për zhvillimin e një procesi të vazhdueshëm dhe të pandërprerë të dialogut. Ne konsiderojmë që të dyja palët duhet të punojnë intensivisht për të arritur një marrëveshje përfundimtare për të gjitha mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë. Në mënyrë që ky proces të jetë gjithëpërfshirës po ashtu edhe shterrues, të dy vendet duhet të pajtohen që të sjellin në tavolinën e bisedimeve të gjitha çështjet e pazgjidhura të marrëdhënieve të tyre bilaterale.

Ky është parakusht që dialogu të ketë rezultat të suksesshëm. Palët duhet të sigurojnë që në asnjë rrethanë ose situatë të mos diskutohet çështja e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe punët e brendshme. Ne nuk kemi nevojë as për një dialog i cili përfshin hartat në tryezë, e as për një proces që na çon në ridefinimin e kufijve. Kjo është e një rëndësie thelbësore. Dialogu duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në lertën e Kurtit drejtuar Lajçakut.

Ndërkaq, Përfaqësuesi Special i BE-së, z. Miroslav Lajçak, ia ka kthyer letrën kryeministrit në detyrë Kurti duke theksuar se është i inkurajuar pasi e ka lexuar letrën e kryeministrit në detyrë Kurti, i cili ka thënë se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe procesin e Dialogut, dhe është e gatshme të punojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese.

“Synimi im është të punoj pareshtur dhe në mënyrë dinamike për të ecur para në procesin e dialogut, dhe pres që edhe Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen angazhimit të tyre me të njëjtën vendosmëri. Siç e keni theksuar edhe ju, kjo gjë është e rëndësishme për të mirën e të dy popujve. Jam i bindur që nëse ka vullnet të sinqertë politik nga të dy palët, dhe me anë të dialogut, do jemi në gjendje t’i arrijmë rezultatet të cilat secili nga ne i synon, për të mirën e popullit në Kosovë dhe Serbi. Unë, vendimin tuaj për heqjen e tarifës, e shoh si shenjën e parë konkrete të vullnetit tuaj për të rinisur Dialogun e Lehtësuar nga BE”, shkruan Lajçak në letrën drejtuar Kurtit.

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco