Konsultimet për qeverinë e re/ Kurti nuk do i përgjigjet ftesës së Thaçit

Konsultimet për qeverinë e re/ Kurti nuk do i përgjigjet ftesës së Thaçit

16:17, 31/03/2020

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherë anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se kryetari i partisë, Albin Kurti nuk do t’i përgjigjet ftesës së presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për konsultim lidhur me krijimin e qeverisë së re.  

“Tani nuk është koha e takimeve është koha që ne të jemi maksimalisht të fokusuar në respektimin e vendimeve të qeverisë në detyrë dhe në respektimin udhëzimeve të ekspertëve shëndetësor duke ruajtur distancën dhe duke u kujdesur maksimalisht për shëndetin. Kjo do të thotë që presidenti i vendi të respektojë Kushtetutën dhe pas kalimit të situatës me pandeminë e koronavirusit presidenti Thaçi të shpall zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Nagavci, sipas Rel.  

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar ftesë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që të takohen më 1 prill për t’u konsultuar lidhur me hapat që do të ndërmerren pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.  

Thaçi ka paralajmëruar se do të takohet me liderët politikë për të gjetur zgjidhje pas rrëzimit të qeverisë. Presidenti ka shprehur mendimin e tij se Kosovës i duhet një qeveri gjithëpërfshirëse. Por, Kurti ka kundërshtuar idenë që krijohet një qeveri, pa u mbajtur zgjedhjet. Ai është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja, pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.  

Më 25 mars, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë votuar pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, që u iniciua nga Lidhja Demokratike e Kosovës – parti në koalicionin qeverisës.  

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco