Vetëvendosje kundër Thaçit/ Kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme pas koronavirusit

Vetëvendosje kundër Thaçit/ Kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme pas koronavirusit

21:53, 28/03/2020

Lëvizja Vetëvendosje tha të shtunën se deklaratat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për këshillime me partitë politike për formimin e qeverisë së re, janë shenja të “përpjekjeve të tij jo kushtetuese dhe të pasuksesshme” dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas tejkalimit të situatës së krijuar nga COVID-19.  

Në një komunikim përmes postës elektronike me Zërin e Amerikës, lëvizja Vetëvendosje duke ju referuar Kushtetutës së Kosovës, theksoi se “presidenti mund të shpërndajë Kuvendin pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit.  

Ne kemi tashmë dy dekrete atë të vitit 2010 dhe atë të vitit 2017, ku të dy presidentët në vitet e cekura, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit ndaj qeverisë, kanë shpërndarë Kuvendin. Tashme ka precedent, dhe është shndërruar në normë’, thuhet në përgjigjen e lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën theksohet se do të presin që të tejkalohet situata me virusin COVID-19 dhe pastaj të caktohet data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.  

Të premten presidenti Hashim Thaçi tha se nga e hëna do të fillojë këshillimet me partitë politike për mundësinë e formimit të qeverisë së re, duke nënvizuar se synimi i tij “do të jetë në çdo rrethanë që mos ta lejojë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe të shpërbëhet Kuvendi, Pra nga e hëna në mëngjes do t’i ftoj liderët e partive për të themeluar institucionet dhe mos të ketë vakum institucional”, tha ai.  

Por, për lëvizjen Vetëvendosje, nuk ka asnjë boshllëk institucional.  

“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka kompetencat e plota për të menaxhuar dhe adresuar masat që lidhen me COVID – 19. Tani për tani ne jemi shumë të përkushtuar që nga kjo situatë e krijuar nga virusi COVID – 19 të dalim me numër të vogël të të prekurve dhe të mos ketë pasoja në jetë njerëzish. Secili institucion po punon e angazhohet në këtë drejtim, pra ky është shqetësimi jonë e që është shqetësim edhe në gjithë botën”, thuhet në përgjigjen e kësaj lëvizjeje për Zërin e Amerikës.  

Presidenti Thaçi, tha se “do të përqendrohet që të mos e çoj vendin në zgjedhje” por të formohet një qeveri, siç tha ai, “të stabilitetit, unitetit dhe gjithëpërfshirjes”.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco