Isa Mustafa kërkon zgjedhje pas Pandemisë së Covid 19

Isa Mustafa kërkon zgjedhje pas Pandemisë së Covid 19

20:54, 27/03/2020

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka kërkuar zgjedhje pasi që të kalojë kriza e pandemisë së Covid-19 shkruan Syri.net Kosova.  

Ai përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se pas deklaratës së SHBA-së u qartësua gjithçka dhe se tanimë duhet të ulen dhe të gjejnë rrugën e drejtë.  

Sipas tij tashmë nuk është kohë eksperimentesh. Kosovës i duhet një qeveri me kapacitet të plotë operacional për ta përballuar pandeminë dhe krizën që do të pasojë.  

“Pasi ta kalojmë këtë krizë, duhet t’i kthehemi qytetarëve për vlerësim përmes zgjedhjeve. Me vizion të qartë euro-atlantik dhe me oferta objektive programore”, ka shkruar Mustafa.  

Postimi i plotë:  

Të dashur miq, 

Tani kur deklarata nga Shtëpia e Bardhë qartësoi gjithçka rreth të sotmes dhe të ardhmes së Kosovës, na takon ne të ulemi dhe të gjejmë rrugën e duhur për të ecur përpara. 

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe unë, i besojmë pa rezerva Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I kemi besuar gjithmonë dhe gjithmonë na ka rënë mirë. I besojmë edhe tash dhe jemi të bindur se Amerika do t’i bindë edhe aleatët tjerë perëndimor të Kosovës për të qenë bashkë edhe në procesin që na pret. Marrëveshjen finale për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, e cila vendin e bën subjekt të plotë ndërkombëtar dhe ia hapë perspektivën integruese euro-atlantike. 

Beteja politike e zhvilluar, sidomos kohët e fundit në Kosovë, nuk duhet të vazhdoj më. Jam i bindur se kjo betejë politike, përveç se dëmton aspiratat legjitime të Kosovës dhe qytetarëve të saj, aleatëve tanë ua vështirëson përpjekjet për të siguruar unitetin euro-atlantik për Kosovën. 

Kosova duhet t’i lexoj drejt porositë e aleatëve. T’i interpretoj drejt ato. Ndaj ftoj të gjitha subjektet politike të Kosovës të flasim me një zë. Të tejkalojmë vetveten për interes të Kosovës. Ta lëmë prapa garën meskine e të mos punojmë duke menduar vetëm ditën e votimit. Të mos kultivojmë pritje iracionale përmes populizmit. Por, të bëhemi bashkë për ta rikthyer Kosovën në drejtimin e duhur. Kah orientimi euro-atlantik. 

Kosova duhet të flas me një zë. Me zërin e arsyes. Me zërin e së vërtetës. Kosova nuk ka alternativë. Kosova ka të ardhme vetëm në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. 

Kosova, sot ka nevojë për një klasë të mençur e të urtë politike. Ka nevojë për liderë që kapërcejnë bindjet e tyre ideologjike dhe interesat elektorale për hir të Kosovës. Për hir të së ardhmes së saj. 

Nuk kemi nevojë të shpikim asgjë. Aleatët tanë, që gjithmonë na kanë qëndruar pranë, duhet t’i dëgjojmë. Sepse secilën herë që i kemi dëgjuar, na ka rënë mirë. Edhe në vitet 90-ta që na sugjeruan të mos bëhemi tabelë qitjeje kur republikat e ish-Jugosllavisë po luftonin për interesat e veta. Edhe kur na e orientuan qëllimin dhe mënyrën e luftës çlirimtare. Edhe kur na premtuan çlirim nëse pranojmë marrëveshjen e Rambujesë. Edhe kur na garantuan shtetin po të pranonim Planin Ahtisaari. Edhe secilën ditë deri sot. Që Kosova nuk ka mbetur asnjë moment pa mbështetjen politike e ekonomike të aleatëve të saj. 

Ata i kemi edhe sot përkrah. Për ta mundur pandeminë që po na rrezikon shëndetin e jetën. E që do të na shkaktoj destabilitet ekonomik. Me aleatët, ne mund t’ia dalim. Pa ta, jo vetëm që është e vështirë. Por, është e pamundur. Të mos e gënjejmë, as veten, as qytetarët. 

Prandaj, t’i dëgjojmë ata edhe kur po na thërrasin të ulemi e të gjejmë zgjidhje kushtetuese për situatën e krijuar politike në vendin tonë. 

Nuk është kohë eksperimentesh. Kosovës i duhet një qeveri me kapacitet të plotë operacional për ta përballuar pandeminë dhe krizën që do të pasojë. 

Pasi ta kalojmë këtë krizë, duhet t’i kthehemi qytetarëve për vlerësim përmes zgjedhjeve. Me vizion të qartë euro-atlantik dhe me oferta objektive programore. I.M.  

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

astrit29/03/2020 09:08

Kjo deklarate e Mustafes eshte gallate alla titistesh.

Shto koment

Denonco