Koronapolitika kosovare, turpi që sfidon edhe COVID-19

Koronapolitika kosovare, turpi që sfidon edhe COVID-19

16:07, 18/03/2020

Redaksionale nga Syri.net Kosova

Kryetari i LDK-së shprehu indinjatën e tij për shkarkimin e ministrit të brendshëm, pasi nuk qenka konsultuar sipas marrëveshjes së koalicionit nga kryeministri.

Por, Isa Mustafa po harron se pak orë para se presidenti të dilte në konferencë për të shpalosur planin për gjendje të jashtëzakonshme, një propozim të njëjtë e kishte postuar në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

A e kishte konsultuar Mustafa, Kurtin? Natyrisht që jo.

Lojërat politike që po e minojnë qeverinë e Albin Kurti, në kulmin e një pandemie që ka goditur edhe Kosovën, janë turpi i radhës i lidershipit kosovar.

Sapo u pa që reagimi qeveritar ishte i shpejtë, efikas dhe u duartrokit nga shumica, nxituan rivalët politikë të dalin me skenare për të shkaktuar kriza të reja.

Mustafa fajëson partnerin e tij në koalicionin qeveritar, por asnjë fjalë nuk e tha për përhapjen e panikut nga ministri i brendshëm, Agim Veliu, që do të duhej të ishte shembulli i së kundërtës.

Në këto rrethana të përkeqësuara edhe politike, Kosova po hyn në një rrugë pa krye për shkak të një plani të njohur botërisht, ndarjes së Kosovës.

Koronavirusi i ka shtyrë këto axhenda, por pak rëndësi ka për disa politikanë kosovarë, që na kanë provuar shpesh se interesi i tyre personal është mbi interesin nacional.

Në këtë situatë, natyrisht ka përgjegjësinë e tij kryeministri Kurti. Te çështja e tarifës, ai nuk do të duhej të vonohej më dhe ta shfuqizonte.

Qeveria ka vepruar drejt deri tani sa i përket masave në përballjen me pandeminë, duke e pasur parasysh rezervën zero që ia la qeveria e PAN-it dhe gjëndjen e rëndë të shëndetësisë kosovare, të trashëguar nga keqqeverisjet e kaluara.

Kjo qeveri mund të akuzohet për dështim në reagimin e saj, masat, etj, por jo për katandisjen e shëndetësisë nga pushtetet e kaluara.

Ndërkohë sa i takon shpalljes së gjëndjes së jashtëzakonshme shihet se ka një koordinim mes PAN-it dhe presidentit Thaçi, ndërsa personi kryesor, kryeministri, as që po konsultohet. 

Nëse gjendja mbahet nën kontroll me masat aktuale dhe të tjerat që po ndërmirren, nuk ka pse të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, si vendim ekstrem në rrethana shumë të rënda.

Gjithsesi është absurde të dërgohet dekret presidencial, pa pasur një unitet politik institucional.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, që po paraprihet edhe nga krisja serioze e koalicionit, do e fusnin Kosovën në një fazë të paparashikueshme.

Është e pafalshme për lidershipin kosovar, ta keqpërdorë këtë situatë, për protagonizëm dhe qërim hesapesh politike në një kohë që njerëzimi po përballet me “armikun e padukshëm”, që nuk kursen askënd.

Armiku jonë, është i dukshëm në fakt, dhe nuk po na kursen as në këto ditë të vështira ngujimi, siç nuk na kurseu qe njëzet vjet rresht.

Marre!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco