Albin Kurti: Heqja e tarifave me Serbinë fillon më 15 mars

Albin Kurti: Heqja e tarifave me Serbinë fillon më 15 mars

18:47, 27/02/2020

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se “gjatë javës së ardhshme, qeveria e Kosovës merr vendim që nga data 15 mars e këtij viti të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”.

Ai i bëri thirrje Serbisë që të zotohet se do t’i jap fund fushatës për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe të fillojë heqjen e barrierave tregtare jo tarifore ndaj Kosovës.

“Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë me fillim nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnja".

Më tej kryeministri Kurti tha se “Bashkimi Evropian do ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për të hequr tarifën prej 100 për qind dhe në shkëmbim do t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020”.

Ai tërhoqi vërejtjen që në rast se “Serbia nuk e përfillë vullnetin e mirë të qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill fillon zbatimin e gradual të parimit të reciprocitetit, fillimisht në fushën e tregtisë e më pastaj edhe në atë ekonomike e politike”.

Kryeministri Kurti tha që “në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor e rikthen tarifën për importet nga Serbia”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco