Ambasada në Itali: Asnjë shtetas i Kosovës nuk është prekur nga koronavirusi

Ambasada në Itali: Asnjë shtetas i Kosovës nuk është prekur nga koronavirusi

09:35, 24/02/2020

Ambasada e Kosovës në Romë së bashku me Konsullatën e Përgjithshme në Milano njoftuan se deri më sot nuk është prekur nga koronavirusi asnjë shtetas I Kosovës që jeton në Itali.

Në një deklaratë në Fb, thuhet:

 Ambasada e Kosovës në Romë së bashku me Konsullatën e Përgjithshme në Milano janë duke e monitoruar dhe ndjekur me shumë vëmendje dhe kujdes emergjencën shëndetësore lidhur me përhapjen e Koronavirus - Covid 19 në Itali. Fatmirësisht, deri më sot nuk rezulton i prekur nga ky virus asnjë shtetas nga Kosova.
U bëjmë thirrje shtetasve tanë me banim/qendrim në Itali, se në rast nevoje mund të na kontaktojnë në çdo moment në numrat e emergjencës 24/7.
Në koordinim me organet dhe institucionet tona dhe ato vendore italiane, mbetemi në gatishmëri të plotë të shtetasve tanë.

Për çdo eventualitet numri i emergjencave i ARKS në Romë: +393274526991;
dhe ai i Konsullatës së Përgjithshme në Milano: +393472127662.

    Ndërsa dje, Ambasada e Shqipërisë në Itali, dhe Konsullatat e Përgjithëshme në Milano dhe në Bari njoftuan se nuk kishin asnjë informacion se ishte prekur ndonjë shtetas shqiptar. Në njoftim thuhej:

    Ambasada e Shqipërisë në Itali, dhe Konsullatat e Përgjithëshme në Milano dhe në Bari po ndjekin me vëmendje situatën e emergjencës së krijuar nga përhapja e koronavirusit Covid19 në disa rajone të Italisë.

    Deri tani nuk kemi informacion për qytetarë shqiptarë të prekur. Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar në bazë të normativës europiane për mbrojtjen e të dhënave personale.

    Ambasada e Shqipërisë në Itali së bashku me MEPJ dhe Ministrinë tonë të Shëndetësisë, janë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë italiane dhe Departamentin e Mbrojtjes Civile të Këshillit të Ministrave për masat e përbashkëta për parandalimin e perhapjes së virusit në territorin shqiptar.

    U bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë në Itali dhe atyre që udhëtojnë për dhe nëpër Itali të respektojnë masat e urdhëruara nga autoritetet italiane në situatën e emergjencës. Ambasada në Romë dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe Bari vazhdojnë normalisht punën në shërbim të qytetarëve. Informime të mëtejshme do të vijojnë në vartësi të zhvillimit të situatës.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco