Reciprociteti me Serbinë/ Mustafa: Të koordinohet me SHBA-në, të tjerat modalitetet

Reciprociteti me Serbinë/ Mustafa: Të koordinohet me SHBA-në, të tjerat modalitetet

20:30, 21/02/2020

Duke iu referuar ngjarjeve të fundit, që nga sekretari amerikan i Shtetit e deri te ambasadori amerikan në Kosovë, kanë përsëritur thirrjet për heqje të tarifës, ku përfshihet edhe kërkesat e emisarit të Trumpit, Richard Grenell, i cili ka dëshmuar se vendos shpejt e prerazi aty ku ndërmjetëson.

Kryeministri Kurti po i reziston presionit amerikan duke kërkuar reciprocitetin me Serbinë, ndërsa Isa Mustafa tha se vetëm një gjë është e rëndësishme: Koordinimi me SHBA.

Me arritjen e marrëveshjes për qeverisje mes Lëvizjes Vetëvendosje e LDK-së, kanë prezantuar strategjinë e tyre të zëvendësimit të tarifës ndaj produkteve serbe, me masa të reciprocitetit.

Por sa I përket SHBA-së, ajo e përkrah pjesërisht këtë pikë të marrëveshjes, pasi kërkojnë heqjen e taksës, por nuk janë dakort për masën e reciprocitetit.

Që nga sekretari amerikan i Shtetit e deri te ambasadori amerikan në Kosovë, janë përsëritur thirrjet për heqje të tarifës. Këtu përfshihen edhe deklarimet e emisarit të Trumpit, Richard Grenell, i cili ka dëshmuar se vendos shpejt e prerazi në cështjet mes Kosovës e Serbisë. Ai do që tarifa të heqët dhe këtu të përfundoj gjithçka rreth ideve të sanksionimit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i pyetur nga Express, nëse mbron idenë e vendosjes së reciprocitetit edhe pas presionit amerikan, ka thënë se thelbësore është bashkërenditja me SHBA-në. Të tjera ai i quan modalitete.

“Themelore është që procesi të bashkërenditet me SHBA-të, si partner strategjik i yni.  Çështjet e tjera mbesin modalitete”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq Zyra për Media e LVV-së ka thënë se për cështjen e reciprocitetit qëndrojnë pas asaj që janë marrë vesh me LDK-në.

Qëndrimin zyrtar të LVV-së e ka thënë Kurti dy ditë më parë në Konventën e Prodhuesve të Kosovës. Edhe pas thirrjeve të SHBA-së për heqje të menjëhershme të taksës, pa vendosje të masave të tjera, Kryeministri Kurti ka thënë se do të vendosë reciprocitet të plotë.

“Do të zëvendësojmë tarifën 100% dhe do të zbatojmë reciprocitetin e plotë tregtar me Serbinë sikurse me secilin shtet. Tarifa ka qenë vendim i qeverisë së kaluar. Ne nuk jemi për tarifa si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit por për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve.

Në deklaratat e mëhershme të tij si kryeministër, Kurti ka thënë se nuk do që të lë hapësirë mes tarifës dhe reciprocitetit. Sipas Kryeministrit, fillimisht do të vendos masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, e më pas do të heqë tarifën.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka shkruar të enjtën se një lider duhet të marrë vendime që mund të mos jenë popullore, por janë të domosdoshme për të ardhmen. Ai ka thënë se duhet të largohet tarifa, e për reciprocitet bëjnë hapa pastaj.

“Vendimet e vështira e bëjnë një lider të suksesshëm. Jo gjithmonë, janë vendime popullore për të tashmen, por të domosdoshme për të ardhmen. Koha për vendime të rënda, por të domosdoshme. Koha me e largu tarifën. Vlerësimet për reciprocitet bëhen në ecje e sipër”, ka thënë Haziri.

As Presidenti Hashim Thaçi në një intervistë dhënë BBC-së në gjuhën serbe, nuk e ka përkrahur vendosjen e masave të reciprocitetit.

“Nuk guxojmë të marrim vendime populiste – për të thënë se po e ndëshkojmë Serbinë, kurse në të vërtetë të largohemi nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja”, ka thënë Thaçi.

Express së fundmi ka raportuar duke u thirrur në burime se zyrtarë të lartë amerikanë ndihen se janë gënjyer nga kryeministri Kurti për çështjen e largimit të tarifës ndaj produkteve serbe e boshnjake. Së këndëjmi SHBA-ja po shqyrtonte vazhdimin e investimeve në Kosovë, nëse nuk hiqet tarifa.

Masat sanksionuese me tarifë të qind për qindtë për prodhimet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercogovinës i ka vënë ish-kryeministri Ramush Haradinaj në nëntor të vitit 2018.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco