Ambasadori amerikan Kosnett: Kosova është shtet, shtet do të mbetet!

Ambasadori amerikan Kosnett: Kosova është shtet, shtet do të mbetet!

13:48, 20/02/2020

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett deklaroi dje nga Mitrovica e veriut se Kosova është shtet dhe se tillë do të mbetet, ndërsa është e domosdoshme që të gjithë ata të cilët jetojnë në të ta pranojnë këtë, raporton RTK2 në gjuhën serbe, transmeton Koha.net.

Duke folur në Klubin Shoqëror në pjesën veriore të Mitrovicës ai tha se Kosova ndodhet në fazën e tranzicionit, se bashkësia ndërkombëtare e ndihmon tash 20 vjet, porse kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë.

“Mendoj se nuk duhet të harrohet e kaluara, por ka rëndësi që ajo të kuptohet dhe të shfrytëzohet për ndërtimin e të ardhmes më të mirë për të dy popujt”, është shprehur ambasadori amerikan.

Kosnetti ka thënë se SHBA mbështet fuqishëm procesin ekzistues të dialogut të udhëhequr nga BE-ja, që ka për qëllim marrëveshjen gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës e Serbisë.

Ai ka shtuar se pret heqjen e taksës ndaj produkteve që eksporton Serbia në Kosovë.

“Konsideroj se hapi tjetër në këtë proces do të duhej të jetë ky: Kosova menjëherë të heqë taksën pa kurrfarë parakushtesh dhe jemi të bindur se nëse ndodh kjo edhe Qeveria në Beograd do të bëjë hapa pozitivë në këtë dialog. Konsideroj se heqja e taksës është me shumë rëndësi”, ka thënë ai.

Kosnet ka thënë se SHBA nuk do të ndërpresë mbështetjen për Kosovën nëse ndodhë të mos hiqet. taksa.

Pasi ka ripërsëritur se ambasadori Grenell asnjëherë nuk ka deklaruar se do t’ia ndërpresim ndihmën Kosovës ose institucioneve të saj po nuk e hoqi taksën, Kosnett është shprehur se beson që kryeministri Albin Kurti e kupton seriozisht përgjegjësinë e vet që të jetë udhëheqës i të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

Siç është shprehur ai, për SHBA-në janë me rëndësi tri gjera kur është fjala për Kosovën – paqja, e drejta dhe prosperiteti, ndërsa ka shtuar se që të tri këto janë të ndërlidhura mes vete, transmeton Koha.net.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco