Albin Kurti nxori në pah në Mynih aleancën Vuçiç-Rama-Thaçi

Albin Kurti nxori në pah në Mynih aleancën Vuçiç-Rama-Thaçi

15:28, 15/02/2020

Me Albin Kurtin po ndodh një fenomen i panjohur më parë. Ai po krijon rreth vetes një koalicion të mbrojtësve të autokratëve nga Tirana në Beograd. Me të njëjtin zell që e sulmuan pas vizitës në Shqipëri mediat dhe gazetarët që i shërbejnë Edi Ramës, po në një gjatësi vale u vunë edhe të përditshmet në shërbim të Vuçiçit, si “Informer” dhe “Kurir”.

Kjo u duk e qartë edhe pas takimit të fundit të liderve ballkanikë në Mynih ku morën pjesë shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borell, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kreu i shtetit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq, të Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, lideri bullgar Boiko Borisov dhe shumë personalitete të tjera.

Ndonëse takimi u zhvillua me dyer të mbyllura sipas parimit “Chatam Haus”, që do të thotë se pjesëmarrësit nuk kanë të drejtë të publikojnë detaje, pothuajse e gjithë përplasja mes Presidentit Serb dhe kryeministrit kosovar tashmë është zbardhur.

Mediat pranë pushtetit serb kanë informuar se Vuçiç ia mbylli gojën Albin Kurtit. Në një farë mënyre këtë e ka mbështetur edhe vetë presidenti serb, i cili ia konfirmoi të njëjtën gjë Radios Europa e Lirë. Pika më e fortë e liderit autokrat të Beogradit, që u mburr se ka mbrojtur interesat e Serbisë, ishte se ai u përpoq të përçante faktorin shqiptar, duke veçuar në një anë Albin Kurtin dhe në anën tjetër miqtë e tij Thaçi dhe Rama. “Vuçiç tha se e konsideron të rëndësishme të shikohen marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe marrëdhëniet “brenda Prishtinës”," raporton Radio Europa e Lirë, këtë diversion që u tentua të bëhej mes shqiptarëve.

“Sa i përket atmosferës së “debatit” në München: duket sikur ekziston një aleancë e heshtur mes kryetarit serb, presidentit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë. Këtë përshtypje e kanë diplomatët që i njohin që të tre. Aleanca lidhet me betejën e tyre për të ruajtur pushtetin dhe me frikën se mund t’u rrezikohet pushteti”, e komentoi këtë takim gazetari Enver Robelli, i cili iu referua burimeve diplomatike brenda mbledhjes së liderëve ballkanikë.

Një ndarje të tillë mes Kurtit nga njëra anë dhe treshes Thaçi, Rama Vuçiç ka vënë re edhe Deutche Welle në kronikën që i ka bërë takimit të Mynihut. “Në rrjetet sociale është publikuar një video e fjalimit të kryeministrit Kurti, i cili është deklaruar kundër idesë së tanishme të Mini-Shengenit, duke kërkuar që kjo ide të kthehet në kuadër të Procesit të Berlinit. Kurti ka paraqitur edhe tri parime për bisedime me Serbinë. I pari – s’ka marrëveshje pa dialog. I dyti – s’ka dialog me harta dhe i treti – pa presidentë rreth hartave”. Në këtë mënyrë ai kritikoi drejtpërdrejt presidentin Thaçi dhe atë Vuçiq, por edhe kryeministrin Rama, për të cilin në media u përhapën zëra, se ka qenë i përfshirë në çështjen e ndryshimit të mundshëm të kufijve të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komentin e radios zyrtare gjermane.

Në mënyrë indirekte Albin Kurti ka fituar edhe mërinë e Ramës dhe Vuçiçit duke kundërshtuar edhe projektin e tyre për Mini-Shengenin Ballkanik. Kurti nuk u njësua me idenë e krijimit të një Mini-Shengeni ballkanik, duke theksuar në konferencë se Bashkimi Evropian duhet të krijojë një “Mini-Marshall plan” për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të ngjashëm me “Marshall Planin” e ShBA-së pas Luftës së Dytë Botërore për Evropën.

“Kjo ideja e ‘Minishengenit’ nuk është shumë e qartë për mua, nuk kam parë shumë dokumente, është një ide e pa projektuar për implementim. Besoj se duhet të hyjë në procesin e Berlinit, kështu do të ishte më së miri, kur të gjashta shtetet janë në tavolinë. Njëjtë sikur “Plani Marshall”, që u hartua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, tani neve na duhet një ‘Mini-Marshall Plan’ për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti të premten në Mynih./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shqiptari15/02/2020 15:55

Ballkani Perendimor do te shpetoje nje here e pergjithmone nga kthetrat e Mafias Komuniste, te autokracise dhe te FASHIZMIT (KOMUNIZEM=FASHIZEM), nga urrejtja nder-etnike dhe vellavrasja dhe shqiptaro-urrejtja, do te shpetoje nga kthetrat e diktatoreve te rinj (Thaçi nuk eshte diktator, por eshte thjesht nje idiot i korruptuar dhe budalla), vetem kur te 3 keta diktatore te korruptuar do te jene pa pushtet!

Shto koment

Denonco