SHBA feston/ A do e lidhë ky avion Kosovën me Serbinë?

SHBA feston/ A do e lidhë ky avion Kosovën me Serbinë?

18:27, 20/01/2020

Në kohën kur në Kosovë akoma nuk po formohet qeveria dhe tensionet me Beogradin mbeten të larta, një lajm mbërriti nga amerikanët. Ata ndërmjetësuan dhe mbikëqyrën nënshkrimin e një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, për të rinisur fluturimet komerçiale mes dy kryeqyteteve.

Marrëveshja mori shumë reagime nga zyrtarë të lartë perëndimorë. Vetë Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në SHBA, Robert O’Brien tha se marrëveshja e nënshkruar në Berlin është historike.

Meritat për këtë marrëveshje duket se shkojnë për ambasadorin amerikan në Berlin, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i Donald Trump për Kosovën dhe Serbinë.

Ajo u nënshkrua nga dy zyrtarë të nivelit të dytë, Milun Trivunaç nga Ministria e Ekonomisë së Serbisë dhe Esat Berisha nga Aviacioni Civil i Kosovës.

Fluturimi nga Prishtina drejt Beogradit zgjat vetëm 25 minuta dhe do kryhet nga kompania gjermane EuroWings. Një nga drejtuesit e kësaj kompanie, që ka një avion në Prishtinë, tha se fluturimet do nisin sapo të hiqen pengesat mes dy vendeve.

Pikërisht këtu lindin sërish problemet. New York Times shkruan se nuk dihet megjithatë se kur do të ndodhë kjo.

Kurse në Kosovë duan të dinë më shumë se çfarë parashikon marrëveshja dhe si do të fluturojnë kosovarët, me çfarë mjetesh identifikimi.

Nga ana tjetër, Serbia tha se ata kanë treguar se janë të vendosur për të nxitur lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, kurse akuzuan Kosovën se vendos barriera artificiale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco