Albin Kurti: Ende nuk kemi marrëveshje për Qeverinë e Kosovës, thirrje LDK-së

Albin Kurti: Ende nuk kemi marrëveshje për Qeverinë e Kosovës, thirrje LDK-së

10:04, 20/01/2020

Albin Kurti ka njoftuar sot me anë të një videomesazhi, qytetarët e Kosovës, se "ende nuk e kemi një marrëveshje për Qeverinë e re". Sipas Kurtit, pala tjetër e thirrur në koalicion, LDK-ja, po vepron sipas parimit "merre ose lëre" ç'ka për ta nënkupton "lëre". 

Ndaj, Kurti, i ka bërë thirrje LDK-së "që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë."

Mesazhi vjen vetëm dy orë para takimit të orës 12, ku Presidenti Hashim Thaçi ka thirrur Albin Kurtin për ta mandatuar si Kryeministër. 

MESAZHI I PLOTE I ALBIN KURTIT ME VIDEO:

Mirëdita të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës!

Propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për Kryeministër, si subjekt fitues nga zgjedhjet e 6 tetorit, kemi dashur ta dërgojmë te Presidenti pas një marrëveshjeje me LDK-në.

Në mbledhjen konstituive të Kuvendit, më 26 dhjetor, shkova pa pasur një marrëveshje; edhe te Presidenti më 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake dhe tani, dy javë pas atij takimi katërminutësh, ende nuk kemi marrëveshje për qeverinë e re.

Të dashur qytetarë!

Ne sot po e dërgojmë propozimin tonë me shkresë te Presidenti. Sekretarja jonë organizative, Vlora Haxhimehmedi, do ta bëjë këtë.

Ne nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së, por jemi treguar shumë të gatshëm për takime të mëtejme me synim gjetjen e alternativave të tjera, që do të ishin të pranueshme për të dy palët.

E theksoj përsëri: Nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019.

Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse, ndryshe nga dakortësimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm.

Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra, qasja “merre ose lëre”, do të thotë “lëre”.

Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë juve që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë.

Ne si Lëvizje VV kemi marrë mandatin ta bëjmë qeverinë që ju e dëshironi e që vendit i duhet me aq urgjencë. As më shumë e as më pak..

E kemi filluar duke e çliruar nga kapja udhëheqjen e Kuvendit. Nuk është më aty ai Pronto kryeparlamentari, që shante e kërcënonte nga foltorja, por kryetari i ri Glauk Konjufca.

Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Në ditët në vijim do të takoj edhe përfaqësuesit e pakicave ju faleminderit dhe mirupafshim."

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco