Albin Kurti prezanton Platformën e tij për Arsimin, si kryeministër i ardhshëm

Albin Kurti prezanton Platformën e tij për Arsimin, si kryeministër i ardhshëm

10:55, 12/12/2019

Kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar platformën e tij për Arsimin në vend gjatë një fjjalimi që  mbajti në festën e arsimit profesional organizuar nga TC Meister në bashkëpunim me Friedrich-Ebert-Stiftung

Albin Kurti e nisi me këto fjalë:

" Gëzohem që po takohemi në një qendër trajnimi dhe jo në ndonjë hotel luksoz. Në këtë qendër sikurse e juaja ndërtohet e ardhmja, sepse disa njerëz të përkushtuar kanë vendosur të bëjnë diçka reale dhe jo vetëm të flasin për ide.

Qeveria jonë e re është e vendosur për ta riparuar Kosovën. Riparimi dhe nxitja e zhvillimit me mundësi të barabarta për të gjithë fillon me edukim më të mirë, me kualifikime profesionale dhe me zhvillimin e potencialit të secilit individ. Këto kanë qenë deficitetet më të mëdha gjatë dy dekadave të shkuara. Kur flas për arsimin dhe kualifikimet, nuk flas për një lloj kinse ‘akademizimi’ që po ndodh në Kosovë, që po nxitet si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat i arsimit të mesëm dhe të lartë.

Shumë të rinj detyrohen të studiojnë në ndonjë program pa e ditur se cilat janë talentet e tyre, dhe përfundojnë si “akademikë”. Jo të gjithë të rinjtë duan të studiojnë – dhe kjo është krejt në rregull. Ata të rinj që nuk duan të studiojnë janë shumë të nevojshëm për detyra dhe profesione tjera po aq të rëndësishme në vendin tonë e për vendin tonë.

Nuk po flas për gjendjen e rëndë të arsimit në Kosovë. Sepse i kemi parë rezultatet e testit PISA. Këtu nuk është vendi të flas as për kualitetin e universiteteve, edhe pse aty gjendja nuk ështe më e mirë sesa në shkollat e mesme e të ulëta.

Por, gjendja në fushën e arsimit profesional joakademik është shumë herë më e keqe, dhe unë besoj për tri arsye kryesore. Së pari, shkollat profesionale përballen me cilësi të dobët të mësimdhënies praktike.

Së dyti, kualifikimet që ofrojnë rezultojnë të jenë jo sa duhet adekuate për kërkesat e tregut të punës, pasi që nuk janë të profilizuara ashtu si kërkon e sa kërkon tregu. Së treti, të diplomuarit nga këto shkolla nuk janë mjaftueshëm konkurrues në tregun brenda dhe jashtë Kosovës.

Për shembull, kemi shumë pak inxhinierë të fushave të ndryshme teknikisht komplekse e arkitektë të kualifikuar mirë, madje edhe mjeshtër për riparime e menaxherë, etj. 1000 arkitektë që studiojnë në universitet nuk mund t‘i ndërtojnë 1000 shtëpi. Kemi kryesisht punëtorë, profesionistë të trajnuar dobët, me kualifikime të dobëta, të cilët vështirë që mund ta kthejnë projektin e arkitektit në shtëpi të vërtetë. Kemi mungesë të muratorëve të mirë, elektricistëve, hidraulikëve, axhustatorëve etj. Këta janë vetëm disa shembuj, por vlejnë për tërë shoqërinë dhe ekonominë tonë.

Ekonomia jonë është tejet e varur nga importet – edhe pse kemi shumë të rinj që mund të bëjnë gjëra shumë më të mira sesa si ‘akademikë’ të punojnë në qendra të thirrjeve (Call Centers) ose si shoferë taksie. Problemi është se tregu ynë nuk ka ku t‘i punësojë të gjithë ata akademikë.

E dini këtë shakanë e hidhur që e thonë në Prishtinë, se sa herë të ju shërbejë një kamarier provoni e ta merrni mundin e t’i leni bashkshish se ka bërë shkollë shumë, ka prej tyre që i kanë 15, e ka prej tyre që i kanë edhe 17 vjet shkollim. Por, janë të detyruar që të punojnë si kamarier.

Njëkohësisht kompanitë kërkojnë profesionistë të kualifikuar në pothuajse të gjitha fushat. Kemi papunësi të madhe por edhe mungesë të punëtorëve të kualifikuar. Kërkojnë në bujqësi, prodhim, shërbime, etj., dhe pa ta e kemi të vështirë të tërheqim investime të huaja, qofshin ato investime nga mërgata jonë apo nga të tjerët. Por kjo është njëkohësisht e vështirë edhe për rinvestimin brenda vendit tonë, sepse një ekonomi që lulëzon është ekonomi që profitin e rinveston. Fuqia jonë punëtore nuk është konkurrente me vendet e tjera përreth, dhe kompanitë shpesh detyrohen të gjejnë punëtorë jashtë vendit dhe t’i sjellin në Kosovë.

Unë kam pasur fatin që sivjet ta takoj z.Ymeri rastësisht në avion në një fluturim dhe ky më njoftoj aty, por ky nuk e dinte që unë e njoh prej shumë vitesh.

Unë e njoh këtë prej më herët, e njoh prej vitit 2011 atëherë kur fillova të banoj në ndërtesën e cila ka për ashensorë prodhimin e firmës së tij.

Por duhet ta pranoj që shkallët i ngjis me këmbë, e zbres me ashensorë, edhe pse është mirë për shëndetin, por edhe për shkak se kjo funksionon si metaforë e mirë politike: në politikë duhet të ngjitesh shkallëve, e të biesh shpejt me ashensor.
 

Në Kosovë kemi rreth 70% të njerëzve nën moshën 30-vjeçare, dhe shumë prej atyre që punojnë nuk kanë kontrata të rregullta pune. Pse ndodh kjo?

Një arsye është ajo që ne besojmë dhe i bëjmë fëmijët tanë të besojnë se edukimi akademik është "rruga më e mirë e mundshme". Shumë prindër e besojnë këtë dhe bëjnë gjithçka që munden për t'ua mundësuar fëmijëve të tyre të studiojnë. Ndonjëherë për ta s’ka fare rëndësi se çka studiojnë fëmijët, më rëndësi që studiojnë. Çka e ka vajzën? Studente. Çka e ke djalin? Student. Edhe mandej një lloj vetëmjaftushmërie e një situate e cila pak çka thotë.

Është e pabesueshme se sa shumë besojnë se një "akademik" di t’i bëjë të gjitha. Nuk mund ta gjeni një vend tjetër ku kaq shumë besohet se “akademiku” din t’i bëjë të gjitha. Natyrisht që nuk është ashtu! Sepse edhe studimet më të mira nuk mund ta zëvendësojnë aftësimin dhe kualifikimin praktik e punën praktike.

Kam qenë shpesh në Gjermani, vend i cili njihet për ekonomi funksionale dhe të fuqishme. Atje ka më pak të rinj që studiojnë. Madje ndodh shpesh që studentët të kalojnë në sistemin e shkollimit profesional, sepse u pëlqen më shumë. Rasti i Genc Shabanit nga Gjermania, që është këtu dhe i cili po merr pjesë në takim është një rast i cili tregon historinë e tij të shkollimit në Gjermani që na shëben shumë edhe si shembull për ne për t’u ndjekur në Kosovë.

Ekonomia gjermane, më e madhja në Evropë dhe ndër më të mëdhatë në botë me rritje të qëndrueshme, qëndron mbi dy këmbë të sigurta: profesionistët akademikë dhe profesionistët jo-akademikë. Të dyja këmbet e ekonomisë janë njësoj të forta! Prandaj dhe ekonomia e shëndetshme. Jo ekonomi me një këmbë, ekonomi me të dyja këmbët. Profesionistë akademikë dhe profesionistë jo-akademikë.

Dhe nëse i shikojmë fushat e sektorët në të cilat bashkëvendësit tanë në Gjermani janë shumë të suksesshëm, atëherë e shohim që nuk janë vetëm në fusha akademike.

Për t'u rikthyer te ajo që thashë më herët: nuk ka arkitekt që mund të ndërtojë një shtëpi, të kujdeset ta mirëmbajë atë apo dhe ta ruajë atë.

Më ka interesuar se sa kanë të ardhura jo-akademikët e kualifikuar në Gjermani: shumë profesionistë të mirë fitojnë më shumë sesa akademikët. Kjo për arsye se ata janë shumë të kërkuar në treg. Ky është ligj i tregut: ajo që nevojitet urgjentisht kushton më shtrenjtë. Tregu ynë i punës nuk është bash treg i punës: sepse akademikët mund të shesin dardha, kurse blerësit në këtë rast punëdhënësit po kërkojnë molla. Prandaj, vështirë që mund të flitet për një treg. Më parë mund të flitet për një hendek.

Nganjëherë ne flasim për "mbi-kualifikimin" e të rinjve. Në të vërtetë, nuk ka kualifikim të tepërt, vetëm kualifikim adekuat apo jo adekuat.

Një shofer taksie që ka përfunduar studimet por nuk i njeh rrugët nuk është i mbi-kualifikuar. Ai thjesht nuk është i kualifikuar për punën që bën. Një biznesmen që nuk e njeh kontabilitetin nuk është i mbi-kualifikuar, por i pakualifikuar për punën që bën.

Ekonomia e Kosovës vuan nga mungesa e njerëzve të kualifikuar siç duhet për të gjitha detyrat dhe punët që duhet të bëhen në mënyrë që të kemi një ekonomi funksionale që sjell rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm me mundësi për të gjithë."

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco