Ekspozitë me 100 fotografi nga krimet serbe në Kosovë, gjatë periudhës mars-qershor 1999

Ekspozitë me 100 fotografi nga krimet serbe në Kosovë, gjatë periudhës mars-qershor 1999

17:47, 10/12/2019

Mbi 100 fotografi të cilat paraqesin eksodin dhe gjenocidin serb të kryer në Kosovë, gjatë periudhës mars-qershor 1999, kanë zënë vend në muret e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Shumë dëshmi dokumentojnë krimet serbe të kryera në vend, shumë nga to, të cilat tash e 20 vjet po i ruan edhe mjeku Enver Hoxha, i cili kishte shërbyer në Zonën Operative të Llapit.

Me këtë ekspozitë, po synohet që të kërkohet përgjegjësi nga shteti i cili kishte kryer gjenocid në vend.”Gjenocidi serb: Ta kujtojmë të kaluarën, ta ndërtojmë të ardhmen”, kështu po e quan autori Enver Hoxha ekspozitën me mbi 100 fotografi, të shkrepura 20 vjet më parë në zonën e Shalës, Llapit e Gollakut.

Mbrëmjen e sotme është bërë hapja e kësaj ekspozite, ndërsa të shumtë kanë qenë ata të cilat kanë ardhur të shohin materialet e ekspozuara.

“Me këtë ekspozitë po synojmë ta kujtojmë të kaluarën ta ndërtojmë të ardhmen. Është një 20-vjetor i cili në aspektin kohor për dikë është i gjallë, por për atë që kanë vuajtur nuk është i gjallë. Edhe në anën tjetër me lyp përgjegjësi për kriminelët. Sikur janë rehabilituar ata dhe nuk i ndëshkon askush”, tha ai.

Hoxha thotë se deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe ekspozita lidhet shumë me ngjarjen, e të tilla mohime thotë se po i shërbejnë armiqësisë ndaj Kosovës. ”Në këtë ekspozitë është dashur të ambientohemi me vendin dhe hapësirën, e cila është, përndryshe vetëm me vendin dhe tematikën kemi afër edhe 100 fotografi, ndërsa për kaptina tjera kemi për punën që është bërë në Spitalin Ushtarak, dhe në tri kaptina”, u shpreh ai.

Saranda Bogujevci, e mbijetuar nga lufta në Kosovë, thotë se është shumë me rëndësi ruajtja dhe dokumentimi i krimeve të bëra në Kosovë, dhe se për këtë ka edhe kritika ndaj institucioneve.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi tha se kjo ekspozitë përfaqëson një luftë makabre.

Sipas tij, sot është koha për reflektim, jo për hakmarrje, por të pendimit të shtetit serb, për atë që është bërë në popullim shqiptar.

Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa tha se Kosova për 20 vjet nuk ka mundur të dokumentojë ato që për dy dekada ishin të shkruara në ballin e gjithë secilit.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci tha se me kënaqësi është përkrahur kjo ekspozitë nga muzeu.

Këto fotografi sipas tij, tregojnë shumë për sakrificën dhe vuajtjen e popullit të Kosovës.

Profesor Ismet Salihu tha se këto fotografi tregojnë krimet e pushtetit serb ndaj popullatës të pafajshme shqiptare. Ai tha se është koha e fundit që institucionet e Kosovës, të ndërrojnë qasje për dënimin e këtyre krimeve që janë bërë në Kosovë. 

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco