Tre gra shqiptare nën akuzë, dyshohet se ndihmuan ISIS-in

Tre gra shqiptare nën akuzë, dyshohet se ndihmuan ISIS-in

07:36, 10/12/2019

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tri grave kosovare të dyshuara për pjesëmarrje në luftën e Sirisë. Prokuroria njofton se të dyshuarat akuzohen për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”. Të trija gratë akuzohen se pas arritjes në Siri kanë ndihmuar në logjistikë, luftimet e grupit militant, Shteti Islamik (IS).

“Duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik, (të akuzuarat) iu kanë ofruar shërbime logjistike anëtarëve meshkuj të familjes, të cilët aktivisht kanë luftuar, gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të Shtetit Islamik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, sipas REL.

Në aktakuzë jepen detaje se si këto tri gra kishin vendosur që të udhëtonin për në shtetin e Sirisë ku qëllim kryesor kishin bashkimin me grupin militant Shteti Islamik (IS).

“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurat M.T., V.T-D., dhe Sh.T., me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që kanë shkuar në Siri dhe i janë bashkangjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS, duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtarinë dhe qëllimet e saja”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Sipas aktakuzës bashkëshorti i të pandehurës M.T., kishte shkuar i pari në Siri, i cili pas qëndrimit disa muajsh ishte kthyer sërish në Kosovë dhe pastaj e tëre familja kishte vendosur që t’i bashkohej IS-it.

Një pjesë e familjes kishte udhëtuar me veturë nga Kosova drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit në Maqedoninë e Veriut prej nga me aeroplan kishte shkuar në Turqi.

“E pandehura V.T-D. me bashkëshortin e saj dhe vajzën e vogël, më 05 tetor 2014, përmes pikës kufitare Hani i Elezit, me veturë kanë dalë nga Kosova dhe kanë shkuar në Shkup, e nga Aeroporti i Shkupit me aeroplan për në Turqi dhe më pastaj në Siri”, thuhet në aktakuzë.

Rrugën drejt Sirisë pas pak kohës e kishin marrë edhe anëtarët e tjerë të familjes.

“E pandehura M.T. me bashkëshortin e saj më 04 nëntor 2014, në mënyrë të njëjtë kanë udhëtuar në Siri, kurse e pandehura Sh.T., nëna e të pandehurave M.T., V.T-D., më 21 shtator 2015, së bashku me dy djemtë e saj, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ka shkuar për në Turqi dhe nga Turqia në Siri”, thuhet në aktakuzë.

Pas disfatës së grupit militant Shteti Islamik (IS), tri gratë e akuzuara ishin detyruar që të dorëzohen te forcat kurde dhe më pas ishin deportuar në Kosovë më 24 maj të vitit 2019.

Në muajin prill të këtij viti institucionet e Kosovës kthyen nga Siria 110 kosovarë në mesin e tyre katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco