2 vjet burg për ish-ministrin serb të Kosovës/ Quajti 'trillim' masakrën e Reçakut

2 vjet burg për ish-ministrin serb të Kosovës/ Quajti 'trillim' masakrën e Reçakut

16:15, 05/12/2019

Një gjykatë në Prishtinë, dënoi të enjten, ish ministrin e pushtetit lokal në qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviç, me dy vjet heqje lirie, nën akuzën për “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Sipas akuzës ai me 24 mars të vitit 2019 “në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër ndërhyrjes së NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, kishte deklaruar se ‘arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi... Masakra e Reçakut ishte trillim... Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi... Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi...Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës... gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturit mision paqësor në Kosovë e Metohi”.

Më 9 prill të vitit 2019 ai qe shkarkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili atëbotë tha se “është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes”, raporton VOA.

Vetëm pas ditë më herët zoti Haradinaj kishte shkarkuar edhe zëvendësministren e drejtësisë, Vesna Mikiç, për shkak të “gjuhës së urrejtjes dhe deklaratave të papranueshme”.

Ajo shkroi më 25 mars në rrjetet sociale se ”para njëzet vitesh aleanca e NATO-s ka ushtruar gjenocid të planifikuar ndaj një shteti sovran që për dekada ka luftuar kundër terrorizmit shqiptar brenda kufijve të vet”.

Qëndrimet e tilla kishin nxitur shumë reagime e veprimtari kundër mohimit të krimeve të luftës.

Në pranverën e vitit 1999 NATO-ja ndërmori një fushatë bombardimesh kundër Serbisë, për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Por derisa shqiptarët e vlerësojnë ndërhyrjen e NATO-s me rëndësi vendimtare për historinë e Kosovës, zyrtarët serbë e cilësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”.

Shpallja e vendimit të gjykatës nxiti reagimin e Beogradit. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e cilësoi “vendim të tmerrshëm”, ndërsa përsëriti qëndrimin e tij se masakra e Reçakut në vitin 1999 “ishte krim i trilluar i një mashtruesi, siç është William Walker”.

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimjes, në jug të Prishtinës. Ata hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre. Të nesërmen, ish drejtues i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat, rrëzë një kodre dhe e quajti aktin një masakër dhe krim kundër njerëzimit, të kryer nga forcat serbe.

Ngjarja shënoi fillimin e një fushate të re diplomatike në përpjekje për t'i dhënë fund luftës dhe një muaj më vonë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Në mars të atij viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk u nënshkrua nga Beogradi dhe NATO-ja filloi fushatën 78ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco