Hungaria ekstradon në Kosovë një kriminel lufte, serbët i bllokojnë rrugën

Hungaria ekstradon në Kosovë një kriminel lufte, serbët i bllokojnë rrugën

12:46, 29/11/2019

Para ambasadës hungareze në Serbi sot kanë protestuar dhjetëra persona, që kanë kundërshtuar një vendim të autoriteteve të Hungarisë për të ekstraduar në Kosovë, shtetasin e Serbisë, Lubisha Manatasheviq, i dyshuar për krime të luftës, raporton Gazeta Express.

Mediat serbe raportojnë se disa dhjetëra serbë nga Kosova, kryesisht nga qytetet e Rrafshit të Dukagjinit – Rahoveci, Hoça e Vogël, Pejë, Gjakova, Klina, Prizreni, kanë protestuar, duke ndalur komunikacionin për një orë në Krunska Ulica në Beograd, para Ambasadës hungareze në Serbi, duke kundërshtuar vendimin për ekstradim.

Pjesmarrësit e protestës janë deklaruar para mediave, se janë duke mbështetur të vëllanë e Lubisha Manitasheviqit, Nikollë Manitasheviq që para kësaj ambasade ka nisur grevë urie. Vëllezërit Manitasheviq janë me origjinë nga Hoça e Madhe e Rahovecit.

Nikolla Manitasheviq ka kërkuar nga Serbia “të zgjohet, të mbledhë forcë dhe së paku njëherë zyrtarisht të bëjë diçka dhe të mbrojë qytetarët e Serbisë nga Kosova e Metohija”. Ai ka thënë se “është i informuar se nëse shkon në Kosovë do të burgoset menjëherë për shkak të reagimit që vëllai i tij të mos ekstradohej në Kosovë”.

Sipas tij, i vëllai i tij Lubisha ndodhet në paraburgim ekstradues dhe për shkak të deklaratës se i gjallë nuk do të shkonte në Kosovë, prej 24 orësh është me pranga në duar, si masë sigurie nga ana e autoriteteve hungareze”, e citojnë atë mediat.

Raportohet se askush nga Ambasada e Hungarisë nuk ka dalë të bisedojë me protestuesit.

Në lidhje me rastin e Manitasheviqit, një grup serbësh të respektuar, siç i cilësojnë mediat serbe, e klerikësh nga Rahoveci e Hoça e Madhe, i janë drejtuar me një letër ambasadorit të Hungarisë në Prishtinë, Laslo Markusit, përmes të cilës kanë sqaruar shkaqet pse Manitasheviq nuk duhet të ekstradohet në Kosovë.

Sipas tyre, “Lubisha Manitasheviq, për shkak të plagosjes së dy pjesëtarëve të UÇK-së ka qernë i proceduar nga KFOR-i, të cilit i ishte dorëzuar vetë dhe në burgun hetues në Prizren kishte kaluar 67 ditë, pastaj ishte liruar për t’u mbrojtur në gjendje të lirë, pasi kishte kaluar të gjitha verifikimet e KFOR-it”.

Po ashtu, sipas tyre, Manitasheviq kishte shtënë për vetëmbrojtje, pasi pjesëtarët e UÇK-së në qershor të vitit 1999 kishin dashur ta rrëmbenin në Rahovec dhe kanë shtuar se “njëri nga të plagosurit, Dritan Hoxha nga Rahoveci, i cili më vonë është bërë pjesëtar i Policisë së Kosovës emë vonë është përjashtuar prej saj për shkak të kontrbandimit të automjeteve, nuk e ngarkon më të akuzuarin”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco