Shtatë javë që numërohen votat

Shtatë javë që numërohen votat

12:08, 25/11/2019

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Kosovë  ka qenë ndër objektet me vëmendjen më të madhe publike javëve të fundit, që nga dita kur votuesit kosovarë dolën para kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend për mandatin e ardhshëm.

Kanë kaluar më shumë se një muaj e gjysmë nga dita e zgjedhjeve, por procesit zgjedhor nuk po i shihet fundit si pasojë e gabimeve në numërim të cilat çuan në ankesa të shumta nga subjektet politike dhe kandidatët në garë drejt Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme, shkruan Kallxo.net.

Pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i shqyrtoi ankesat e tyre, më 11 nëntor vendosi pro, kështu duke marrë vendim që të rinumërohen mbi 1,400 vendvotime dhe duke e mjegulluar edhe më tej rrugën drejt formimit të institucioneve të reja të vendit. Por punëtorëve të përkohshëm të KQZ-së iu deshën pothuajse dy javë që të përfundojnë këtë proces.

Këtij rinumërimi iu gëzua më së shumti koalicioni Nisma-AKR-PD, e cila edhe kishte bërë ankesë në PZAP për votat e Serbisë së bashku me disa kandidatë të tjerë për deputëtë të partive të ndryshme.

Ky koalicion madje ende pa e shpallur Komisoni Qendror i Zgjedhjeve si të përfunduar procesin, doli me një komunikate se një gjë e tillë ka përfunduar dhe se falë kësaj ata janë bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Ata edhe treguan se cilët janë deputetët e kësaj partie që do të përfaqësohen në Kuvend. Sipas Nismës Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Endrit Shala, Haxhi Shala, Albulena Balaj dhe Mirlinda Sopi do të jenë deputetët e këtij koalicioni në legjislaturën e re.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se rezultatet përfundimtare për secilën parti do të shpallen sapo të përfundojnë procedurat e nevojshme teknike e ligjore.

“Publikimi varet nga procedurat e QNR por më së largu deri nesër (të hënën) mund të bëhen publike”, ka thënë sot para mediave zëdhënësi i KZ-së, Valmir Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së i pyetur për kalimin e pragut të koalicionit NISMA-AKR-PD ka thënë se nuk i dinë rezultatet për asnjë parti. “Nuk i dijmë rezultatet dhe do të presim publikimin e tyre në uebfaqe, ku aty do të dihen rezultatet për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët që kanë qenë pjesë e kësaj gare”, tha Elezi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco