Mustafa dëshiron Limaj në qeveri, reagojnë Nisma edhe Vetëvendosje

Mustafa dëshiron Limaj në qeveri, reagojnë Nisma edhe Vetëvendosje

17:48, 22/10/2019

Në rast se kalon pragun e siguron ulëse në Kuvend të Kosovës, NISMA e Fatmir Limajt mund të ua prishë pazaret me koalicionin e LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Isa Mustafa lideri i LDK-së, dha sinjale se do të pranonte në koalicion partinë e Limajt, por deklaratës së tij sot iu përgjigj Jakup Krasniqi.

Ka reaguar edhe VV në anën tjetër, ku ka thënë se nuk flasin për këtë temë, sa kohë që Nisma vazhdon të mbetet jashtë kuvendit.

Gjatë takimeve mes grupeve koordinuese për të harmonizuar programet e LDK-së dhe Vetëvendosjes, Mustafa përmendi mundësinë që, dy partive që dolën të parat nga zgjedhjet të ju bashkohet edhe një subjekt tjetër.

Gjatë periudhës së opozitës, LDK-ja dhe VV patën qenë kritikues të mëdhenj të partive që përbënin koalicionin PAN, tani kur të njëjtat e kanë në dorë krijimin e qeverisë së re, bashkëpunimi me ata që në qeverinë e kaluar ishin në pozitë nuk po mohohet.

Lideri i LDk-së Isa Mustafa, tha javën e kaluar se ka simpati për Fatmir Limajn, e shtoi se do të pranonte një qeveri me të.

Kjo në rast se pranon VV-ja, që është parti e parë e dalë nga zgjedhjet, nga votat që janë numëruar deri më tani.

“Kam simpati për Limajn, e vlerësoj si të dijshëm për politikë. Nëse Nisma i merr votat, unë uroj që ta merr. Janë vota tyre, nuk janë tonat. Mbetet çështje e hapur me VV-në a do ta kemi Nismën. Për mua nuk do të kishte problem që ta kemi Nismën në qeveri, por varet edhe nga VV si parti e parë”, tha Mustafa.

Këto deklarata të Mustafës erdhën në kohën kur koalicioni me kandidat Fatmir Limaj po lufton për të kaluar pragun zgjedhor që i siguron pak ulëse në Kuvend të Kosovës. Megjithatë, në rast se ky skenar ndodhë, LDK e VV do ta kenë të pamundur krijimin e qeverisë së ardhshme pa një partner të ri.

Ndryshe nga Mustafa, mundësinë për një subjekt të ri në koalicion nuk po e shqyrtojnë në Vetëvendosje. Këtë temë se kanë diskutuar as në takimin e parë në mes të grupeve punuese.

Nga partia e Kurtit thanë se derisa NISMA vazhdon të qëndrojë jashtë kuvendit, nuk mund të japin përgjigje nëse do ta ftonin për koalicion.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco