Akademia Suedeze mbron vendimin e saj për Nobelin: Handke ka bërë komente provokuese, por ...

Akademia Suedeze mbron vendimin e saj për Nobelin: Handke ka bërë komente provokuese, por ...

14:52, 17/10/2019

Stockholm – Akademia Suedeze e ka mbrojtur vendimin e saj për dhënien e Çmimit Nobel 2019 për Letërsinë, shkrimtarit austriak Peter Handke, duke thënë se ai kishte bërë komente provokuese, por nuk kishte mbështetur gjakderdhjen.

Çmimi që iu dha Handke ka shkaktuar kritika, deri edhe nga të mbijetuarit e masakrës së Srebenicës në 1995, që i bënë thirrje akademisë ta revokojë çmimin prej 930 mijë dollarësh, që akordoi javën e kaluar.

Në vitin 2006, Handke mbajti një fjalim në funeralin e udhëheqësit të fundit serb, Slobodan Milosheviç, që vdiq kur ishte në paraburgim, në pritje të gjykimit për krime lufte në Gjykatën e  Hagës, për rolin e tij në luftërat e Ballkanit në vitet 1990.

Handke shprehu gjithashtu mbështetjen për liderët serbë të Bosnjes, Radovann Karaxhiç dhe Radko Mlladiç, që u dënuan për genocid, për vrasjen e më shumë se 8000  djemve dhe burrave myslimanë në Srebenicë, enklavën e mbrojtur nga OKB.

Në një artikull të publikuar të enjten në të përditshmen suedeze, “Dagens Nyheter”, Mats Mal, kryetari i Akademisë Suedeze, pranoi që Handke kishte bërë “komente provokuese, të papërshtatshme dhe të paqarta për çështje politike”.

Por, ai shtoi se shkrimtari i “ The Goalie’s Anxiety at the Penalty Kick” dhe i “Sloë Homecoming”, nuk e kishte glorifikuar gjakderdhjen dhe e kishet dënuar qartësisht masakrën e Srebenicës.

“Akademia ...nuk gjeti asnjë në shkrimet e tij që përbëjnë një sulm ndaj shoqërisë civile ose ndaj respektimit të barazisë së njerëzve”, shkroi Malm.

Akademia citoi një artikull të vitit 2006 në gazetën gjermane Suddeutsche Zeitung në të cilën Handke thoshte se masakra e Srebenicës ishte krimi më mizor kundër njerëzimit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas Reuters, Akademia qe detyruar ta shtynte dhënien e çmimit të vitit 2018 për Letërsinë pas një skandali që bëri të dënohej burri i një anëtareje për përdhunim.

Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka akuzuar Akademinë Suedeze se “në përzgjedhjen e autorit austriak, thjesht ka arritur vetëm të zvogëlojë vlerën e çmimit duke u përfshirë në një skandal tjetër që do të dëmtojë reputacionin e saj gjatë dekadave të ardhshme.”

Vendimi i Akademisë u kritikua gjerësisht në Shqipëri dhe në Kosovë, ku thuajse 10 mijë shqiptarë etnikë u vranë dhe gati 1 milionë u larguan nga vendi gjatë një lufte të zhvilluar në vitet 1998-1999 nga forcat e drejtuara nga Milosheviçi.

Munira Subasiç, Presidentja e Shoqatës “Nëna e Srebenicës”, e cila përfaqëson të mbijetuarit e masakrës së Srebenicës të 1995-ës, i tha Reuters se vendimi i Akademisë Suedeze ishte “i turpshëm”./SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco