LDK nuk ngutet: Bisedimet me Vetëvendosjen, pas certifikimit të zgjedhjeve

LDK nuk ngutet: Bisedimet me Vetëvendosjen, pas certifikimit të zgjedhjeve

17:15, 11/10/2019

Lidhja Demokratike e Kosovës tha të premten se do të pres certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të gjashtë tetorit, para se të zhvillojë ndonjë takim të radhës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Të enjten kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, bashkë me kandidaten e kësaj partie për postin e kryeministrit, Vjosa Osmani, u pajtuan për formimin e koalicionit qeverisës dhe për vazhdimin e diskutimeve në grupet punuese për hollësitë ë mëtejme, raporton VOA.

Të premten kryesia e Lidhjes Demokratike u mblodh për të diskutuar këtë çështje dhe pas mbledhjes zëdhënësi i saj, Besian Mustafa, tha se takimi i radhës do të jetë vetëm pasi që të numërohen të gjitha votat.

“Sot diskutuam për rezultatin e ngushtë me Vetëvendosjen, po presim rezultatin final. Mos të përjashtojmë edhe 40 mijë votat e diasporës. Zhvillimi i takimeve me Vetëvendosjen do të fillojë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Në momentin që certifikohen rezultatet do të fillojmë bisedimet me Vetëvendosjen. Kemi një rezultat të ngushtë kemi dallim më pak se pesë mijë vota, prandaj do të presim certifikimin e rezultateve” tha zoti Mustafa.

Në lëvizjen Vetëvendosje nuk e kanë komentuar ende këtë qëndrim të Lidhjes Demokratike.

Kur janë numëruar 100 për qind të votave të rregullta, lëvizja Vetëvendosje kryeson me 25.50 për qind e pasuar nga Lidhja Demokratike me 24.83 për qind të votave.

Por edhe më tej nuk janë numëruar votat e dërguara me postë, ato të hedhura me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco