Zgjedhjet mbaruan, ja hapat për konstituimin e parlamentit dhe qeverisë së re

Zgjedhjet mbaruan, ja hapat për konstituimin e parlamentit dhe qeverisë së re

10:15, 08/10/2019

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, pritet që si rezultat të prodhojnë konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet jo shumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera jo shumicë.

Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. E në rast se ai nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit. Seanca e parë konstituive udhëhiqet nga dy deputetë, përkatësisht nga deputeti më i vjetër dhe më i riu në sallë.

Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit). Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Pas konstituimit të Kuvendit, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës. Bazuar në Kushtetutën e Kosovës si dhe në një aktvendim të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese, Qeverinë e Kosovës mund ta formojë vetëm partia apo koalicioni që i ka fituar zgjedhjet. Subjekti fitues i zgjedhjeve, mund të formojë koalicion pas zgjedhor në mënyrë që të arrijë numrin e mjaftueshëm të votave në Kuvend për formimin e Qeverisë së re.

Sa i përket anës politike, fuqia vendimmarrëse e koalicionit apo Qeverisë, vlerësohet se varet nga numri i deputetëve apo përkrahja që ka në Kuvend. Një qeveri që do të krijohej me mbështetjen e dy të tretave të përbërjes së Kuvendit, zakonisht besohet se mund të jetë më e aftë të marrë vendime, krahasuar me një qeveri që do të siguronte vetëm numrin minimal të votave, që nënkupton 61 votat e mbijetesës në Kuvend.

Sidoqoftë, neni 95 i Kushtetutës e parasheh formën e zgjedhjes së Qeverisë. Aty thuhet se pas zgjedhjeve, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë.

Në bazë të Kushtetutës, kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e legjislativit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Nëse përbërja e propozuar e qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre. Anëtarët e qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit./REL

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco