Kosovë, Albin Kurtit i shpaguhet mundi: Vetëvendosje prin me 25,7%

Kosovë, Albin Kurtit i shpaguhet mundi: Vetëvendosje prin me 25,7%

07:36, 07/10/2019

Albin Kurtit i është shpaguar mundi. Opozitarizimi i fortë  që ka bërë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe komprometimi i madh i partive në pushtet ndër vite e ka nxjerr subjektin e tij si forcën e parë politike në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ai mposhti Vjosa Osmanin dhe LDK’në që përsërisnin se janë partia e parë, në një garë dramatike dhe plotë rivalitet, sikurse edhe Kadri Veselin që tentoi t’i ndezë motorët e partisë që për një dekadë e dominoi skenën politike. Ndërkohë që të dielën ish –bashkëpartiakëve të tij Shpend Ahmetit, Visar Ymerit e Dardan Molliqajt që ia këputën një krah, Kurti ua bëri me dije se ai ka qenë baba i Vetëvendosje dhe magneti i votave. Por, edhe pse fitues, Kurti s’do ta ketë të lehtë ta bëjë qeverinë e re dhe të bëhet Kryeministër.

Albin Kurti ia ka dalë të ngjitet në fron të skenës politike në vend pas shumë vitesh opozite të fortë fillimisht si një OJQ që sfidonte pushtetin nga jashtë e më vonë edhe si parti parlamentare që përdorte edhe metoda që konsideroheshin jo korrekte nga shumë vëzhgues të skenës politike. Këtë të diel ai ia dha fund dominimit 10 vjeçar të PDK’së e cila nisi teposhtëzën pasi nga aty u largua Hashim Thaçi e sidomos edhe nga futja në koalicion me AAK’në dhe NISMIN  në vitin 2017 që mori fund në korrik të këtij viti kur Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i Kryeministrit.

Ish-lideri i studentëve të Universitetit të Prishtinës ka shënuar fitoren e parë prej se hyri në politikë më 2009.

Albin Kurti është fitues i zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale të organizuara pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt edhe pse numërimi ende nuk ka përfunduar.

E  Ramush Haradinajt s’i kanë dalë parashikimet. Ka marrë vetëm 12 për qind.

Më së keqi në këto zgjedhje ka dalë Kadri Veseli. Ka dështuar të dalë i pari. S’ka dalë as i dyti. Ka mbetur pas LDK’së.

E, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta.

Vjosa Osmani dështoi të shënoi fitoren e parë në garën direkte me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

E nominuar në momentet e fundit, Vjosa Osmani s’arriti t’i dalë përpara Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po ashtu ishte ndarë para disa kohësh me grupin e Shpend Ahmetit dhe Dardan Molliqajt.

Në fakt, dështim historik ka shënuar edhe Partia e Kaqusha Jasharit e transformuar nga 12 deputetët e Vetëvendosjes.

Shpend Ahmeti s’arriti t’i ndihmojë Ramush Haradinajt të shënojë rezultate të pritshme.

Haradinaj ka pritur të dalë mbi 20 për qind të votuesve të Kosovës.

Fatmir Limaj po lufton për mbijetesë në skenën politike të Kosovës. S’e ka të sigurt se ka shënuar fitore.

Tash, mbetet të shihet se kush do ta themelojë Qeverinë.

Kadri Veseli dha shenjat e para se do të dalë në opozitë. S’dihet nëse bashkë me Veselin pa pushteti a do të mbetet edhe Haradinaj e Limaj.

Krejt çka dihet është se puna e parë e Qeverisë së re do të jetë përballja me presionin ndërkombëtar për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe heqjen e taksës ndaj shtetit serb. Po ashtu mbtetet të shihet nëse kjo sfidë do t’i takojë Kurtit si Kryeministër apo dikujt tjetër. /Express/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco