Kritika për listat zgjedhore me 30 % femra, nuk siguron përfaqësim të drejtë

Kritika për listat zgjedhore me 30 % femra, nuk siguron përfaqësim të drejtë

19:05, 12/09/2019

Partitë politike në Kosovë tashmë kanë hartuar listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, duke përfshirë edhe kuotën ligjore e cila parasheh që 30 për qind e kandidatëve të jenë gra.

Organizatat që trajtojnë të drejtat e grave bëjnë thirrje për një përfaqësim më të madh të tyre në politikë e mbi të gjitha në vendimmarrje, sipas VOA.

Valmir Elezi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se subjektet politike kanë respektuar minimumin e kuotës gjinore.

“Sipas të dhënave numri i kandidatëve të certifikuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 1070 kandidatë, prej tyre gra janë 343 kandidate dhe 727 kandidatë të tjerë pra janë burra”, thotë ai.

Blerta Aliu nga koalicioni i organizatave jo qeveritare “Demokracia në Veprim”, thotë se kufizimi prej 30 për qind është rrjedhojë e mos harmonizimit të ligjeve.

“Ligji për barazi gjinore kërkon që të ketë një përfaqësim të barabartë në këto lista megjithatë e kemi ligjin për zgjedhjet e përgjithshme që parasheh kuotën prej 30 për qind dhe subjektet politike orientohen në zbatim të ligjit për zgjedhjet, derisa kemi një mungesë të harmonizimit të këtyre dy ligjeve”, thotë ajo.

Ekspertja e çështjeve gjinore, Sibel Halimi, thotë se mungon edhe vullneti i partive politike për të përfshirë më shumë gra në lista zgjedhore dhe sipas saj, kuota gjinore prej 30 për qind në parlamentin e Kosovës, nuk siguron përfaqësim të drejtë.

“Megjithatë është minimale nuk është e mjaftueshme që të trajtohen çështjet e gruas vetëm me përfshirjen e grave në lista zgjedhore është shumë me rëndësi që këto gra të jenë të përfshira edhe në fushatën elektorale, duke i trajtuar temat jo vetëm që lidhen me çështjet e gruas sepse trajtimi i çështjeve të grave vetëm nga gratë ato po i ri margjinalizon”, thotë zonja Halimi.

Pjesëmarrja e grave në fushatat e kaluara zgjedhore ka qenë gati e papërfillshme thotë Blerta Aliu, nga Demokracia në Veprim.

“Hapësira që po u ofrohet grave në fushatë zgjedhore qoftë në tubime apo debate televizive apo aktivitete të ndryshme është shumë e vogël, shumë margjinale. Nëse i shohim me shifra në zgjedhjet e vitit 2017 diku as njëzet për qind e folësve në tubime elektorale nuk kanë qenë gra, edhe elektorati që merr pjesë në ato tubime është një numër tepër i vogël i grave pjesëmarrëse dhe kjo sigurisht që është shqetësuese dhe subjektet politike ja vlejnë të reflektojnë në këtë drejtim duke ofruar mundësi të barabarta për gratë që t’i shprehin mendimet e idetë e tyre”, thotë ajo.

Në zgjedhjet që pritet të mbahen me gjashtë tetor në Kosovë, për herë të parë është e kandiduar një grua për kryeministre, por sipas njohësve të fushës kjo nuk është shenjë e përmirësimit të pjesëmarrjes së barabartë të grave në politike e sidomos në vendimmarrje. Ata bëjnë thirrje që kuota gjinore prej 30 për qind të zëvendësohet me ligjin për barazi gjinore që garanton pjesëmarrje 50 me 50. Në qeverinë që po e lëmë pas, vetëm dy ministri janë udhëhequr nga gratë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco