‘Kosova kujton’/ Memorial në Prishtinë mbi viktimat e 11 shtatorit

‘Kosova kujton’/ Memorial në Prishtinë mbi viktimat e 11 shtatorit

16:32, 11/09/2019

Një pllakë përkujtimore me mbishkrimin “Kosova kujton” u ngrit të mërkurën në qendër të Prishtinës në nderim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha gjatë ceremonisë së zbulimit të pllakës se “sot 18 vjet më parë edhe Kosova e përjetoi rëndë sulmin mbi institucionet, mbi popullin, mbi miqtë tanë, mbi njerëzit e Amerikës. Kosova kujton çdo vit në këtë datë të rënët, martirët e kësaj dite dhe njëkohësisht bashkëndjen me Amerikën”, raporton VOA.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha se amerikanët nuk ishin viktimat e vetme dhe njerëz nga 77 shtete u vranë në këto sulme. “Ky ishte vërtetë një sulm ndaj qytetërimit”, tha ambasadori Kosnett.

“Amerika gjithmonë do të kujtojë ndihmën nga e gjithë bota dhe përgjigja e miqve tanë nga Kosova ishte e menjëhershme dhe e sinqertë. Pas sulmit në Kosovë njerëzit mblidheshin që të parakalonin dhe mbështesnin Amerikën me ndezjen e qirinjve, dhurimin e gjakut, madje disa qytetarë të Kosovës dolën vullnetarë që t’i bashkohen ushtrisë amerikane që të luftojnë në luftën globale kundër terrorizmit. Kjo mbështetje e përzemërt, spontane, është një konfirmim i një lidhjeje të thellë në mes të qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dhe qytetarëve të Kosovës. Ky partneritet tejkalon çdo parti politike ose udhëheqës individual”, tha ambasadori Kosnett.

Të mërkurën u mbushën 18 vjet nga sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara që kanë pas vetes mbi 3 mijë të vrarë. Përgjegjësinë për sulmet e mori përsipër atëbotë rrjeti terrorist, Al Qaida.

Çdo vit, 11 shtatori shënohet në forma të ndryshme në Kosovë, ku roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës por edhe për proceset e ardhshme politike në Kosovë përfshirë edhe atë të integrimeve euroatlantike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco