SHBA dhe Gjermania krisje të fortë me partinë e Thaçit/ Amerikanët tërhiqen nga institucioni i…

SHBA dhe Gjermania krisje të fortë me partinë e Thaçit/ Amerikanët tërhiqen nga institucioni i…

22:38, 16/08/2019

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka reaguar pas largimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga bordi i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, pasi SHBA shfaqi hapur kundërshtimin e saj që Naser Shala të udhëheqë me këtë agjenci.

Heldt, në një postim të bërë në profilin e tij në Twitter, ka thënë se në Kosovë nuk është që nuk ka njerëz të arsimuar dhe të kualifikuar për pozita të larta, përkundrazi, “por për sa kohë që pozicionet publike shihen ekskluzivisht si dhurata, askush nuk duhet të presë nga ata që përpiqen të ndihmojnë dhe mbështesin”.

Image

Ndërkohë, në njoftimin e bërë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës thuhet se SHBA nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e një institucioni ku lidershipi i tij u shërben më shumë interesave personale dhe politike se sa qytetarëve.

“SHBA-ja ka dhënë dorëheqjen nga Bordi i AKKVP-së, siç bëri Mbretëria e Bashkuar më herët. Ne nuk do të vazhdojmë të jemi pjesë e një institucioni ku lidershipi i tij u shërben më shumë interesave personale dhe politike se sa qytetarëve. Përzgjedhja e miqve të pakualifikuar për pozicionet qeveritare dëmton imazhin e Kosovës dhe tradhton besimin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.

Naser Shala, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës, ka reaguar ndaj lajmeve se ambasada amerikane dhe britanike janë larguar nga bordi i AKKVP’së. E arsyeja kryesore e largimit të tyre është fakti se Shala është zgjedhur para disa muajve si drejtor ekzekutiv.

Ai ka deklaruar për Express se, në pozicionin e drejtorit të AKKVP-së është zgjedhur nga deputetët e Kosovës.

“Në pozitën e drejtorit të sekretarisë ekzekutive të AKKVP-së jam emëruar me votën e deputetëve të Kosovës” ka shkruar ai.

E për këtë, ai përveç që i ka falënderuar deputetët, ka falënderuar edhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, i cili edhe pse e kishte përkrahur më parë për këtë pozitë në fakt tani ka reaguar kundër tij duke e cilësuar se nepotizmi po i detyron të rinjtë të largohen nga Kosova.

“Për këtë ,jam falënderues të gjithë deputetëve përfshirë edhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës , z. Kadri Veseli”, tha në reagimin e tij, Naser Shala.

Shala shtoi se veprimet e tij do të jenë në bazë të besimit që i është dhënë nga parlamenti i Kosovës. “Të gjitha veprimet e mija do të jenë konform besimit që më është dhënë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës” tha ai. Shala ishte zgjedhur në këtë pozitë me 50 vota të koalicionit PAN.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco