FOTO/ I jepet lamtumira e fundit gazetares shqiptare

FOTO/ I jepet lamtumira e fundit gazetares shqiptare

20:11, 05/08/2019

Sot pasdite në varrezat e Prishtinës u bë varrimi i gazetares dhe poetes së njohur Burbuqe Rushiti, e cila dje ndërroi jetë si pasojë e një sëmundjeje, raporton Anadolu Agency.

Familjarë, miq, të afërm, kolegë dhe qindra qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës erdhën për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të mbajtur në ora 18:00 në varrezat në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit.

Kryetari i Gazetarëve Turq të Kosovës, Ibrahim Arslan, në deklaratën për gazetarin e AA-së, duke rikujtuar se një kohë të gjatë ka qenë gazetari i AA-së në Kosovë, tha se gjatë kohës së luftës në Kosovë bashkë me Rushitin i kanë ndjekur zhvillimet.

Ai tregoi se për vite të tëra kanë bashkëpunuar ngusht me Rushitin. Arslan tha se gazetarja e ndjerë gjithmonë ka qenë një kolege e cila ka qenë në solidaritet me gazetarët.

Arslan, Rushitin e cilësoi si një kolege e çmuar e cila ka ndarë burimet e informacionit me kolegët e saj, qoftë në kohë të luftës, qoftë më pas.

"Ajo është humbje e madhe jo vetëm për punonjësit e mediave të gjuhës turke, por edhe për shokët tanë që punojnë në mediat e tjera të Kosovës. Me një pikëllim të madh e morëm lajmin e vdekjes. Do të përkujtohet si një gazetare e mirë, guximshme dhe miqësore", tha Arslan.

“Të jesh gazetar i luftës është një çështje e ndryshme. Shpresojmë se në asnjë vend nuk do të ndodhin luftëra dhe do të ketë më pak gazetarë lufte”, shtoi ai.

Rushiti ka punuar disa vjet në ish-Radio Televizionin e Prishtinës, në redaksinë e kulturës, ndërsa më pas ishte korrespondente e disa mediave në Turqi, përfshirë edhe televizionin NTV. Rushiti është autore e disa përmbledhjeve me poezi, ndërsa është marrë edhe me përkthime në prozë dhe në poezi, si dhe me kritikë letrare.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes një komunikate për media, ku ka shprehur ngushëllime me rastin e ndarjes nga jeta të Burbuqe Rushitit, tha se ajo "me punën dhe përkushtimin e saj në informimin e publikut, ka lënë gjurmë të cilat do të jenë referencë në gazetarinë kosovare".

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco