Ftesa denigruese nga Bosnje Hercegovina, Hashim Thaçi refuzon samitin e SEECP

Ftesa denigruese nga Bosnje Hercegovina, Hashim Thaçi refuzon samitin e SEECP

07:37, 07/07/2019

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka refuzuar ftesën e Bosnje-Hercegovinës për të marrë pjesë në Samitin e SEECP, pasi e konsideroi denogruese ftesën që i ishte dërguar nga kryetari i Presidencës Milorad Dodik, që nuk e ka trajtuar Kosovën të barabartë me shtete të tjera.

Thaçi shkruan në Fb: "Përkundër vullnetit dhe gatishmërisë për të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim.

Kosova gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje e Hercegovinën dhe për njohje reciproke. Por, fatkeqësisht, ky vullnet i ynë është keqpërdorur në vazhdimësi, njësoj sikurse tani me rastin e organizimit të SEECP-së nga Bosnja e Hercegovina. Minimumi që kërkon Kosova për pjesëmarrje në forume të tilla është trajtimi i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse.

Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush. '

Kryetari i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Milorad Dodik, i cili i ka dërguar ftesën, ka deklaruar se Thaçi nuk ishte i ftuar në cilësinë e Presidentit të Kosovës dhe se emërtimit të Kosovës do t’i bashkangjitet fusnota, ku shpjegohet se Kosova nuk është njohur si shtet nga pesë vende të Bashkimit Evropian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco