Shqipëria dhe Kosova, ambasada dhe konsullata të përbashkëta nëpër botë

Shqipëria dhe Kosova, ambasada dhe konsullata të përbashkëta nëpër botë

08:18, 03/07/2019

Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli ka shprehur gëzimin e tij për nënshkrimin e marrëveshjes midis Kosovës dhe Shqipërisë për krijimin e misioneve të përbashkëta diplomatike. Në një shënim në Fb, pas nënshkrimit në Tiranë me Zv.ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakajn, Pacolli shkruan:

“Jashtëzakonisht i lumtur që sot në Tiranë ne kemi nënshkruar marrëveshjen historike për bashkëpunim strategjik mes Ministrive të Punëve të Jashtme që do të bashkojnë dhe afrojë pas 11 vjet pavarësie bashkëpunimin diplomatik të Kosovës dhe Shqipërisë. Ne synojme të zhvillojmë një politikë të bashkërenduar në fushat strategjike të rëndësisë kombëtare në politikën e jashtme.

Kosova dhe Shqipëria do të bashkërendojnë nga afër politiken e jashtme, do të krijojnë misione të përbashkëta diplomatike dhe do të ndajnë stafin dhe përvojën për zbatimin e interesave tona kombëtare. Ky është një hap i madh përpara për të ardhur së bashku në skenën botërore dhe për të vepruar si një komb.

I jam mirënjohës Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj qe se bashku kemi marrë këtë hap të madh. 
Shqipëria si gjithmonë do të mbrojë interesat e Kosovës, dhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë. Si dy vende, një komb, ne do të përfaqësohemi në të gjithë botën me një zë të unifikuar.”

Zv.Ministri Cakaj nga ana e tij shpjegoi se vizita e z. Pacolli në Tiranë u kurorëzua me një marrëveshje të re bashkëpunimi midis Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Kjo marrëveshje shënoi një kapitull të ri në bashkëpunimin politik, diplomatik dhe strategjik midis Kosovës dhe Shqipërisë në përgjithësi!

Kjo marrëveshje është e bazuar në katër shtylla kryesore:

E para, nga pikëpamja politike, marrëveshja përcakton ngritjen e “Grupit Ndër-Ministror për Përfaqësim të Përbashkët Ndërkombëtar” dhe “Këshillin e Përbashkët për Planifikim Strategjik” .

E dyta, nga pikëpamja diplomatike, marrëveshja inicion menjëherë fillimin e punës teknike për ngritjen e “Fondit të Përbashkët për Menaxhimin, Ngritjen dhe Zhvillimin e Ambasadave, Misioneve dhe Konsullatave” me qëllim krijimin e hapësirave për përdorim të përbashkët nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë. Kjo nismë është e domosdoshme për racionalizim të shpenzimeve logjistike dhe administrative dhe rritjen e pranisë diplomatike dhe konsullore të dy vendeve tona nëpër botë.

E treta, nga pikëpamja profesionale, marrëveshja parasheh edhe shkëmbimin e personelit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në përfaqësitë e njëra-tjetrës anekënd globit. Lidhur me këtë element, shumë shpejtë diplomatët e parë shqiptarë nga Kosova do t’i bashkëngjiten diplomacisë së Shqipërisë për të shërbyer në përfaqësitë e saj nëpër botë dhe anasjelltas 

Për më shumë, Akademitë Diplomatike menjëherë do të fillojnë punën për krijimin e një programi trajnimi të përbashkët. Kjo masë, gjithsesi, do të shoqërohet edhe me shkëmbimin e stafit profesional dhe përvojave profesionale nëpër Ministritë tona.

E katërta, nga pikëpamja e diplomacisë kulturore, marrëveshja obligon palët për zhvillimin e një kalendari të përbashkët të aktiviteteve kulturore me qëllim ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare në botë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco