Me atletet 1000 euro, Thaçi i turret bankave për qindra mijë euro kredi/ Pasuria e Presidentit të Kosovës

Me atletet 1000 euro, Thaçi i turret bankave për qindra mijë euro kredi/ Pasuria e Presidentit të Kosovës

14:18, 09/06/2019

Me këpucë pa lidhëse, por që kushtojnë rreth 1 mijë euro Presidenti Thaçi të enjten mori rrugën drejt Bratisllavës për të marrë pjesë në konferencën Global Security, ku bashkë me homologun Aleksandër Vuçiçin do të ishin pjesë e një paneli diskutimi.

Më shumë se për çfarë do të diskutonte, rënë në sy atletet e Thaçit, të cilat dukeshin shumë më ndryshe nga ato se çfarë mbathë zakonisht presidenti. Ato janë të markës “Zegna” dhe me një kërkim të thjeshtë që ka bërë Gazeta Express, shihet se ato kushtojnë 735 funta britanike, ose 827.39 euro. Po atë ditë, Agjencia Kundër Korrupsionit filloi me publikimin e pasurisë së zyrtarëve të shtetit.

Disa deklaruan me miliona euro pasuri, e disa thanë se janë të zhytur në borxhe. Në mesin e atyre që e deklaroi të hyrat e tij ishte edhe Presidenti Thaçi. Por, pavarësisht jetës luksoze e të hyrave të majme për të cilat njihet ai dhe djali i tij Endriti, aty i pari shtetit tha se nuk po ka para që ta bëjë pagesën e shtëpisë në të cilën ka hyrë së fundi.

Për shtëpinë, e cila kushton rreth 350 mijë euro, Thaçi thotë se ia ka mësyrë sërish bankave për kredi. Thotë se është në pritje të aprovimit për ta kryer pagesën, derisa tregon se në këtë shtëpi ka investuar deri tash rreth 100 mijë euro.

“Pagesa e shtëpisë ende nuk është bërë, afati i pagesës është 31.12.2019. Pres aprovimin e kredisë”, thuhet në regjistrin e deklarimit të pasurisë së Thaçit të publikuar nga Antikorrupsioni. Por, kjo nuk është hera e vetme që Thaçi iu është drejtuar bankave për kredi.

Para 10 viteve, ai kishte marrë një kredi tjetër në vlerë prej 100 mijë euro në NLB Banka. Edhe këtë kredi, ai e kishte marrë për ndërtimin e një shtëpie. Ai pati filluar ndërtimin e kësaj shtëpie para një dekade në lagjen “Veternik” të Prishtinës, pas largimit nga shtëpia e tij në lagjen “Arbëria”. Ndërtimin e kësaj shtëpie prej 700 metra katrorësh, Thaçi kishte arritur që ta fuste vetëm nën kulm, pasi e kishte shitur para se të futej në të. Gjithë kjo pas incidentit me Fazli Sejdiun, tashmë i akuzuar për tentativë vrasje. Ish-sekretari i Aleancës Kosova e Re dhe pronari i kompanisë “Siguria”, Rrahim Pacolli kishte blerë shtëpinë e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për 360 mijë euro.

Këtë kredi, Thaçi ka arritur që ta paguajë në dhjetor të vitit të kaluar deri kur edhe kishte afat.

Përveç planeve për kredi, në Agjencinë Kundër Korrupsionit ai ka publikuar edhe kursimet e tij dhe të familjes dhe të hyrat vjetore që kalojnë nëpër xhirollogaritë e tyre çdo vit. Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Thaçi ka deklaruar se ka një shtëpi tjetër që e ka të trashëguar nga familja në vlerë prej 80 mijë euro, dhe një tokë bujqësorë të trashëguar po ashtu nga familja që kap një kosto prej 180 mijë euro.
Veturë të veten nuk ka deklaruar, por vetëm të bashkëshortes. Vetura e zonjës së parë të vendit, Lumnie Thaçi kushton rreth 15 mijë euro, e të cilën ka deklaruar se e ka blerë me kursime.

Shuma e parave që ka kursyer këtë vit po del të jetë me e vogël me vitet paraprake./ Nga Arjeta Shabani   

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco