Takimi në Berlin, Haradinaj: Merkel nuk kërkoi heqjen e taksës, njohja nga Serbia zgjidh problemet…

Takimi në Berlin, Haradinaj: Merkel nuk kërkoi heqjen e taksës, njohja nga Serbia zgjidh problemet…

13:39, 06/06/2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar sot se taksa për produktet serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi dhe se Kosova është e interesuar seriozisht për vazhdimin e dialogut me Serbinë me qëllim të njohjes reciproke në kufijtë ekzistues.

Ai këto komente i bëri pas takimit me Angela Merkel, ku tha se me kancelaren gjermane është biseduar për dialogun, vizat, integrimet evropiane.

Haradinaj tha se në këtë takim nuk është kërkuar heqja e taksës.

“Taksa nuk hiqet dhe Kosova e meriton lëvizjen e lirë dhe perspektivën evropiane. Kosova është pjesë e agjendës së vendimmarrëse të BE-së. Po ashtu interesat e Kosovës sot janë në një nivel më të mirë se sa ishin para këtij takimi”, tha Haradinaj, duke shtuar se nga Merkel ka kërkuar që Kosova të jetë si agjendë e BE-së për të ecur përpara.

Ai shtoi se njohja e Kosovës nga Serbia dhe pesë vendet e BE-së do të ishte një përparim, derisa raportin e progresit të BE-së e quajti edhe një herë të mirë.

“Marrëdhëniet Kosovë-Gjermani janë më të avancuara që nga ky takim dhe falënderoj Merkel për përkushtimin që ia ka kushtuar Kosovës”, tha Haradinaj.

Ai foli edhe rreth marrëveshjes së përgjithshme për njohje reciproke nga Serbia.

“Tema finale është njohja dhe gatishmërinë e Serbisë për t’u ulur që të negociojë me Kosovën në një marrëveshje për njohje reciproke dhe në kufijtë ekzistues. Kuptohet që në këtë marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues do të jetë edhe të drejtat e serbëve në Kosovë, marrëdhëniet ekonomike, tregtia e lirë, pa barriera, pa tarifa, por çelësi është njohja e Serbisë për Kosovën”, tha Haradinaj.

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më herët ka folur rreth bashkimit me Luginën e Preshevës, por edh ebashkimit me Shqipërinë, Haradinaj tha se fokusimi aktual duhet të mbetet në agjendën e Kosovës, e cila synon njohjen nga pesë vendet e BE-së dhe nga Serbia.

“Është në interesin tonë që të ndodhë takim i Parisit dhe që të ndodhë vazhdimet e takimeve. Si Kosovë, e them serish, është çështja e njohjes së Kosovës dhe njohja i zgjidh krejt”, u shpreh ai.

Duke folur për vizat, Haradinaj tha se Gjermania është shprehur pozitivisht për heqjen e vizave, ndërsa sa i përket vazhdimit të dialogut, ai shtoi se duhet të shpresojnë për një marrëveshje të madhe dhe nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë do të duhet disa vite për një gjë të tillë.

Sa i përket që një marrëveshje e tillë të arrihet në nëntor të këtij viti, kreu i Ekzekutivit pranoi se një gjë e tillë është vështirë të arrihet.

“Vështirë është marrëveshja e madhe. Duhet ta shfrytëzojmë këtë energji për një kornizë marrëveshje të parë, e cila do të negociohet në një proces nga një përfaqësues i lartë siç ishte Mogherini. Unë mendoj se atëherë Berlini do të kishte një prezencë direkte me një përfaqësues special ose me një të ngarkuar që do të mbetej gjithmonë në temë”, tha ai.

Sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve, Haradinaj tha se Kosova ka humbur shumë nga dialogu, pasi ka devijuar si proces dhe se të gjithë po paguajnë kosto të lartë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco