'Si m'i vranë serbët katër fëmijët e vegjël' - një ekspozitë tragjike në Kosovë

'Si m'i vranë serbët katër fëmijët e vegjël' - një ekspozitë tragjike në Kosovë

09:35, 14/05/2019

Njëzet vjet më parë, në qendër të qytetit të Podujevës, shtatë anëtarë të familjes Duriqi u ekzekutuan nga forcat serbe. Sot, pas dy dekadash, Enver Duriqi nuk i mban lotët kur kujton se iu shua familja në ditën e 28 marsit 1999. Përveç prindërve dhe gruas, Enverit ia vranë edhe katër fëmijë, dy vajza e dy djem.

“Vrasja e fëmijëve të mi ka ndodhë më 28 mars 1999 në qendër të Podujevës. Katër fëmijët e mi kanë qenë të moshës së mitur, më i riu ka qenë 21 muajsh e më i madhi 9-vjeçar”, thotë ai teksa sheh librezën e notave të djalit të madh, Arbri, në ekspozitën “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”, e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDHK), në Prishtinë.

“Dafina ka qenë vajza e madhe, Arbri djali i madh, vajza e dytë Mimoza edhe Albioni 21 muajsh. Kjo është libreza e shkollës e Arbrit”, vazhdon rrëfimin Duriqi, ish- luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për të shpëtuar familjen nga sulmet e vazhdueshme serbe mbi fshatrat e komunës së Podujevës, ai thotë se i dërgoi ata në qytet, Podujevë.

“Familja ime ka qenë e strehuar te familja Bogujevci, paraprakisht në fshatin tonë filluan spastrimet etnike kështu që u dashtë t’i largojmë fëmijët nga fshati. Unë në atë kohë kam qenë pjesëtar i UÇK-së. Në Podujevë i kanë nxanë, i kanë ekzekutu edhe familjen Bugujevci edhe fëmijët e mi, pleqtë dhe bashkëshorten”, thotë ai tutje.

Enveri tash është invalid i luftës. Ai shprehet i zhgënjyer me institucionet e vendit kur flet për drejtësinë që nuk po vihet në vend për krimet e kryera nga forcat serbe.

“Është pyetje e rëndë. Institucioneve tona kurrë falë mos ju qofshin, kurrë për jetë! Asnjë milimetër hapin s’e kanë lëkund për këtë punë, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre, nëse kanë ndërgjegje”, thotë ai teksa sheh fotografitë e fëmijëve të vet.

Ekspozita “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” u organizua të hënën mbrëma në Qendrën e Dokumentimit të Kosovës në bibliotekën e qytetit “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Rrugën nga qyteti i Gjakovës për të marrë pjesë në ekspozitën “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” e kishte marrë edhe Mejreme Kelmendi.

Mejremes, 20 vjet më parë në fshatin Rakovinë të Gjakovës, forcat serbe ia vranë dy djemtë, Besimin dhe Haxhiun.

“Dy fëmijë i kam të vrarë, njëri 12 vjeç e tjetri 10 vjeç. Këtu sot në ekspozitë u kanë plafi ku u rritë fëmija im”, thotë ajo.

Për Mejremën më mirë do të ishte që plumbat ta vrisnin atë sesa fëmijët  saj.

“Të kishin qenë ushtarë, të veshur në UÇK, po janë kanë fëmijë, s’e di çka ju kanë bërë fëmija që m’i kanë vra… Ma mirë të më kishin marrë mua plumbat se fëmijët e mi, të isha kanë me ta e mos t’i kisha pa sot këtu fotot e tyre…”, thotë ajo teksa sheh fotografitë e fëmijëve në ekspozitën që kujtoi 1 mijë e 133 fëmijë të vrarë në luftën në Kosovë në mes viteve 1998- 2000.

Edhe Mejremja sikur Enveri pret më shumë angazhim të institucioneve vendore që të zbardhin rastet e drejtësia të vihet në vend për vrasjet e kryera në Kosovë.

“Po presim drejtësi, presim prej qeveritarëve me bë më shumë. Ne kemi shumë mërzi të mëdha, duhet me na dhanë pak më shumë forcë neve, se na jemi lodhë”, shprehet e zhgënjyer ajo.

Ekspozita “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” u mbajt për të kujtuar vrasjet e 1 mijë e 133 fëmijëve gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998- 2000.

Në Kosovë konsiderohen të vrarë 1 mijë e 24 fëmijë ndërsa 109 fëmijë të tjerë si të zhdukur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment