DETAJE/ Mashtrimi i çiftit zviceran, ja roli i këngëtares Loredana Zefi dhe vëllezërve

DETAJE/ Mashtrimi i çiftit zviceran, ja roli i këngëtares Loredana Zefi dhe vëllezërve

08:21, 09/05/2019

Reperja kosovare Loredana Zefi u arrestua nga policia e Lucernës me akuzën e mashtrimit ndaj një çifti nga qyteza e Valais duke u marrë atyre gjatë tre viteve një shumë prej 900 mijë frangash zviceriane.

Në lojë janë edhe dy vëllezërit e Loredanës, të dy me role të ndryshme.
“Ata morën nga ne gjithçka. Jemi të mashtruar dhe të kërcënuar. Paratë që iu dhamë atyre nuk janë vetëm të miat por edhe të miqve dhe të afërmve të mi”, shprehet Petra për median zvicerjane “20min.ch”.

Petra 52 vjeçe dhe Hansi 53 vjeç jetonin të qetë në qytezën e tyre deri në qershor të vitit 2016, kur Petra ndihej disi e vetmuar dhe hyn në rrjetin social Badoo ku u njoh me një djalë të quajtur Antonio Cas. Kontaktet e tyre vazhduan për disa kohë, deri sa një ditë Antonio i tha Petras se do të shkonte tek qyteza e saj “vetëm për të folur”. “Ai ishte një djalë që të jepte siguri dhe mund ta besoje”, shprehet Petra.

Pas disa takimesh dhe pasi i kishte thënë se punonte në aeroportin e Baselit, Antonio, i cili me pas do të dilte se quhej Berat dhe ishte vëllai i Loredanës, i qan asaj hallin duke i thënë se duhej të bënte transplant të veshkës së nënës së tij, por se i mungonin paratë.

Transplanti do të bëhej në Monako sipas tij dhe duhej bërë sa më parë. Antonio i premton asaj se do t’ja kthejë paratë brenda disa muajve, shkruan Albeu.com.
Petra, pa i thënë asgjë bashkëshortit të saj, tërheq nga llogaria 87 000 franga zviceriane dhe ia jep atij në një restorant pa faturë apo dëshmi që të vërtetojë borxhin. Kur bashkëshorti pa më pas çfarë kishte ndodhur me llogarinë e tyre ai u shokua dhe ky do të ishte momenti i parë që për çiftin do të fillonin problemet.

Po afrohej fundi i vitit, kur edhe Antonio duhej të kthente paratë dhe çifti Petra dhe Hans shkojnë në aeroport dhe takojnë Antonion, të cilit i kërkojnë t’u tregojë pasaportën. Kur nxjerr pasaportën ata kuptojnë se ai nuk quhet Antonio, por emri i vërtetë është Berat. “Kjo na shtangu, por në atë moment neve në duheshin vetëm paratë tona”, tregon Petra.

Berati e prezantonte veten si një person që bënte jetë luksi dhe nuk ngurronte të postonte foto me politikanë të Kosovës, siç është Ramush Haradinaj. Çifti vendos që të sinjalizojë policinë për çfarë kishte ndodhur, por nga aty marrin përgjigjen se nuk mundet që të plotësonin një kallëzim nëse paratë i ishin dhënë me dëshirë. “I kisha dhënë paratë me duart e mia një burri të panjohur”, vijon Petra.

Berati shfaqet sërish në janar 2017 dhe i thotë çiftit se mund t’i rifitojë paratë shumë shpejt përmes një kazinoje të quajtur “Barrière Blotzheim” pranë Francës duke i thënë se aty punonte një shoku i tij që mund të bënte disa lëvizje tek makineritë për t’i mundësuar një fitim të madh. Por, Beratit i duheshin para për të luajtur, kështu që Petra dhe Hansi i dhanë atij disa herë shuma të ndryshme parash për t’i luajtur.

Borxhi total kishte shkuar 200 mijë franga dhe ata nuk kishin marrë asgjë pas.
Në mars 2017, çifti i kërkon Beratit që të firmosin një marrëveshje ku ai pranon se u ka marrë atyre 200 mijë franga borxh. Berati pranon. Ai nuk u bë më i gjallë. Për gjashtë muaj çifti nuk mori vesh asgjë për Beratin dhe paratë e tyre.

Sipas mediave zviceriane, ky është momenti kur në lojë hyn Loredana Zefi pasi vëllai i saj i kishte marrë çiftit 200 mijë franga zvicerjane.
Një mëngjes shtatori të vitit 2017, Petran e telefonon një vajzë që i prezantohet si Anna Landmann, vajza jashtëmartese e juristit të njohur zvicerian Valentin Landmann. Anna u tha atyre se kishte mësuar për çështjen dhe u premtoi se do t’ua kthente paratë mbrapsht.
“Unë mendova se më në fund erdhi dikush që të mund të na ndihmonte”, tregon Petra.

Image

Ky mendim iu përforcua kur takoi Anna Landmann, e cila ishte një vajzë kurajoze dhe që të jepte besim që në takimin e parë. “Ajo ishte mjaft simpatike, e shoqërueshme dhe e mirë duke na bërë të mendonim se mund t’i besonim”, shprehet Petra.

Anna, e cila do të rezultonte më pas Loredana Zefi, u kërkoi atyre që të paguanin fillimisht 12 000 franga për të filluar procedurat e ndihmës juridike. Anna filloi t’u bentë presion atyre për kryerjen e pagesës duke iu dërguar mesazhe në mënyrë të vazhdueshme.

“Në fund ajo na tha në formë presioni se nëse nuk paguanim do të na dërgonte bashkëshortin e saj”, tregon Petra duke mbajtur në dorë edhe mesazhet që i ka nisur Anna, e cila i kishte kërkuar atyre edhe bizhuteri të shtrenjta. Petra i dha asaj një ndër bizhutë e saj më të çmuara që e mbante prej vitesh.

Motra

Në vijim të kontakteve, Anna u kërkoi atyre që të bënin një depozitë në emrin e motrës së saj nga nëna të quajtur Loredana Zefi në mënyrë që të tregonte gjatë kontakteve për rikthimin e parave të çiftit se ajo ishte një juriste e konsoliduar dhe me të ardhura financiare të mira.

“Ajo na tha se paratë do të ishin në një depozitë të sigurt ku askush nuk do të mundej t’i prekte”, vijon Petra.
Kështu, duke i besuar këtij versioni, çifti derdhi në emër të Loredana Zefit 16 000 franga zvicerjane.

Në periudha të ndryshme, me argumentin se i duheshin si kolateral për vijimin e çështjes, Anna Landmann aka Loredana Zefi i mori çiftit në cash plot 700 mijë franga.
Duke dyshuar më pas tek Anna çifti i shkruan juristit të njohur Valentin Landmann, i cili tha se e vetmja Anna Landmann që njihte ai ishte bashkëshortja e tij, e cila vërtetë ishte juriste por që ishte më e moshuar dhe nuk kishte të bënte fare me historinë që ata i treguan.

Në tetor 2017 në jetën e çiftit futet një tjetër personazh. Ai është “bankieri” Hans Meier, i cili u thotë se do t’ua rikthejë paratë e marra nga Antonio (Berati) dhe Anna Landmann, por si fillim Petra dhe bashkëshorti duhej të fusnin 25 000 franga zviceriane në llogari. Çifti vepron siç u thotë bankieri Hans dhe pritën për rikthimin e parave të tyre.

Disa muaj më vonë bankieri shfaqet sërish duke thënë çdo gjë ishte gati dhe se krahas 900 mijë eurove që i kishin marrë Antonio dhe Anna, ai do t’i kthente çiftit edhe 80 000 franga interesa. Por, kjo sipas tij do të bëhej pasi çifti të bënte një pagesë prej 15 000 frangash në bankë në formë koleterali. Çifti e bën sërish pagesën e kërkuar dhe prisnin paratë.
Çifti deri më tani kishte dhënë një shumë të madhe parash, por vetëm një pjesë e vogël i përkiste atyre, kurse të tjerat ishin marrë borxh nga të afërmit.

Në shkurt 2018, Petra ishte në autobus kur sheh në faqet e një gazete lokale foton e madhe të Loredana Zefit, e cila shoqërohej me titullin që lidhej me numrin e madh të ndjekësve të Instagram dhe sukseset me këngën e re “Sunglasses”

“U shokova kur pash atë foto. Pas disa ditësh u përballa me të, por ajo qeshi dhe më tha se në fakt ishte motra e saj që quhej Loredana dhe ishte këngëtare duke qeshur me të madhe. E kuptova që po më gënjente, por nuk mundesha të debatoja me të, sepse ajo të ngjallte frikë”, tregon Petra.

“Disa ditë më vonë ajo e pranoi se quhej Loredana Zefi duke treguar se shkruante ndonjëherë tekste për qejf, por që nuk ishte këngëtare e famshme. Lori mu betua mbi nënën dhe fëmijet se do të mi kthenin paratë mbrapsht”, vijon Petra.
“Më vonë ajo më tregoi se Berati ishte vëllai i saj dhe se ajo ishte përfshirë sepse donte të ndihmonte vëllain që të kthente paratë”.

Në mars-prill 2018 Loredana i thotë Petras që i nevojiteshin makina luksoze për t’ia zgjidhur çështjen e saj. “Më tha se i duhen makina që nuk i ka askush”, tregon Petra.
Kështu, çifti mori me qira tre makina luksoze, një Mercedes, një BMË dhe një Porsche. Loredanës i ishte hequr patenta, por ajo është kapur nga radarët e rrugës duke drejtuar Mercedesin e marrë me qira nga çifti Petra dhe Hans.

Në maj 2018, Loredana mbetet shtatzënë dhe i thotë Petras se nuk mundet që ta ndihmojë më për këtë problem duke thënë se ka vëllain e saj Agon që do të merrej me të. Loredana i kërkon Hansit dhe Petras që të shkojnë në Lucernë dhe nuk i la që të iknin prej andej për tre javë.
“Kur ne kërkuam që të iknim në shtëpi ajo nuk na la. Na thoshte se nëse nuk bëjme siç thonë njerëzit e saj do të humbisnim çdo gjë”, tregon Petra.

Në korrik 2018, çifti bën një padi ndaj Loredanës dhe vëllait të saj, por gjykata ia hedh sërish poshtë duke thënë se borxhi i ishte dhënë me pëlqimin e palëve.
Loredana i kishte nisur Petras edhe një mesazh zanor ku i thoshte se e kishte si motër dhe se ia kishin dalë për të gjetur paratë. “Rri e qetë. Ia dolëm më në fund”, thotë Petra se thuhej në mesazhin zanor.

Çifti ishte i vendosur tashmë për të marrë paratë dhe shkon në banesën e Loredanës në Lucernë. “Atje ishte edhe bashkëshorti i saj Mozzik. U thash se dua t’i bëj një dhuaratë fëmijës së tyre, por nuk më lejuan. Atë ditë Loredana më bëri një transfertë prej 3 000 frangash në llogarinë time duke më premtuar se do të bënte drejtësi dhe do të mi kthente paratë”, thotë Petra.

Vëllai i Loredanës, Agoni e kontakton çiftin dhe i thotë se në 6 prill do t’i kthente 650 000 franga, por më pas takimi nuk bëhet. Loredana arrestohet në 7 maj me akuzën e mashtrimit dhe përvetësimit të shumave monetare.

Gazeta zvicerane emrin e vërtetë të vëllait të Loredanës (Bekimit) e ka mbuluar me emrin Berat për arsye të mbrojtjes së identitetit. Gjithashtu emrin e vëllait tjetër (Arsim) të përfshirë të saj e kanë mbrojtur me emrin Agon.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco