Furrtarët shqiptarë në Serbi po ndiqen si hebrenjtë nga nazistët, Prishtina dhe Tirana heshtin

Furrtarët shqiptarë në Serbi po ndiqen si hebrenjtë nga nazistët, Prishtina dhe Tirana heshtin

07:51, 09/05/2019

Një fushatë e të djathtës ekstreme serbe kundër bukëpjekësve shqiptarë po merr përmasa fashiste. Në Kosovë e Shqipëri lëre që po heshtin pushtetarët, por edhe opinioni publik.

Nga Enver Robelli

Mon Gjuraj, bukëpjekës në një lagje të Beogradit, është vënë në shënjestër të nacionalistëve serbë. Për shkak se një kushëri i tij ka bërë gjestin e shqiponjës, nacionalistët serbë i janë vërsulur Mon Gjurajt, duke ia rrethuar furrën e bukës, duke u gërvallur e kërcënuar dhe duke i vendosur para furrës disa koka derri.

Mon Gjuraj, i frikësuar, është arsyetuar: ka thënë se nuk e ka bërë ai gjestin me shqiponjë, se nuk ka të bëjë asgjë me këtë. Ai ka treguar se nacionalistët po e quajnë «šiptar», një shprehje fyese ndaj shqiptarëve, dhe po i bëjnë thirrje të shpërngulet nga Borça, siç quhet lagjja në kryeqytetin serb ku gjendet furra e bukës «Roma» e shqiptarit Mon Gjuraj.

Merreni me mend: një shqiptar i rrethuar nga ekstremistët serbë duhet të arsyetohet për gjestin e shqiponjës, simbolit nacional të shqiptarëve. Shumë media serbe kanë ndikuar në nxitjen e urrejtjes kundër Mon Gjurajt, duke gënjyer se ky bukëpjekës ka bërë shqiponjën. Të dielën një grup nacionalistësh serbë janë mbledhur sërish para furrës së Mon Gjurajt.

Grumbullimet e tilla janë më shumë se një karnaval nacionalist. Janë thirrje për linçim të njerëzve që kryejnë me zell punën e tyre, paguajnë tatime në Serbi dhe nuk shkelin ligjet e vendit. Policia serbe ka vëzhguar nga distanca rrethimin e furrës «Roma» nga ana e ultranacionalistëve. Politikanët në pushtet në Serbi kanë heshtur – dhe kështu e kanë miratuar këtë aksion. Disa politikanë të opozitës serbe, gazetarë të pavarur, përfaqësues të shoqërisë civile janë solidarizuar me Mon Gjurajn, kanë shkuar madje në mënyrë demonstrative te furra «Roma» për të ngrënë byrek në shenjë solidariteti.

A ka reaguar ndonjë politikan shqiptar në Prishtinë apo Tiranë kundër fushatës fashiste kundër bukëpjekësve shqiptarë në Serbi? Për aq sa kam parë deri më sot – jo. Në Novi Sad një portal u ka bërë thirrje lexuesve të bëjnë një listë të pronarëve shqiptarë të furrave duke i akuzuar se po i shtrenjtojnë çmimet e bukës, byrekut dhe prodhimeve të tjera të brumit. Kjo ishte gënjeshtër, por lista u bë – si në vitet ’30, kur nazistët kërkonin «të mos blihet te hebrenjtë».

A është parë ndonjë reagim i kryeministrit të Kosovës? Kryetarit të Kosovës? Kryetarit të Shqipërisë? Kryeministrit të Shqipërisë? Politikanëve të partive opozitare? A ka thënë gjë shoqëria civile? Askush nuk mund të thotë se është i painformuar. Mediat kanë njoftuar për këto raste.

Në dhjetor portali «ProkupljeOnline» pa asnjë burim shkroi se Rizë Lekaj, pronar i disa furrave të bukës, është fotografuar me simbolin e shqiponjës dykrerëshe. Ky simbol, sipas portalit serb, na qenkësh «simbol i organizatave terroriste UÇK». Kjo organizatë paskësh kryer «gjenocid» ndaj serbëve, ndërsa bukëpjekësit shqiptarë nga Serbia po i përkrahin tarifat ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe. Portali serb bën thirrje direkte që serbët të blejnë «bukë serbe» dhe jo bukë të financuesve të «kasapëve të fëmijëve serbë».

A nuk është kjo arsye e mjaftueshme që Shqipëria t’i dorëzojë një notë proteste qeverisë serbe? A nuk është kjo arsye të ketë një valë solidariteti me bukëpjekësit shqiptarë në Serbi? Përse hesht OSBE, një organizatë që e ka për obligim të mbrojë të drejtat e njeriut? Paramendojeni se çfarë do të ndodhte nëse një grup nacionalistësh shqiptarë do të rrethonin një dyqan serb në Kosovë? OSBE do të kalonte në modusin e gjendjes së jashtëzakonshme. BE do të alarmohej. Me sa duket të drejtat e njeriut janë të klasifikuara në të drejta të klasës së parë dhe klasës së dytë.

*Titulli origjinal: Në Serbi ultranacionalistët i ndjekin bukëpjekësit shqiptarë si nazistët në vitet ’30 hebrenjtë – Prishtina dhe Tirana heshtin/Dialogplus

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment