Mohoi masakrën e Reçakut/ Kosova shpall 'Non-Grata' ministrin e jashtëm serb

Mohoi masakrën e Reçakut/ Kosova shpall 'Non-Grata' ministrin e jashtëm serb

17:10, 05/05/2019

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka shpallur ditën e sotme persona “Non-Grata”, homologun e tij serb, Ivica Daçiç, pasi ky i fundit mohoi masakrën e Reçakut.

Në një status në Facebook, Pacolli e ka cilësuar Daçiç si fashist dhe ish-zëdhënës të Millosheviçit.

Ja çfarë shkruan kryediplomati i Kosovës:

"I pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës së Recak nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së Millosheviçit në vitet ’90. Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar. Serbia kreu krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Evropë që nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve. Arsyeja pse Daçiq dhe fashistë të tjerë në Serbi mohojnë krimet e luftës është sepse drejtësia ndërkombëtare dështoi në sjelljen e atyre para drejtësisë që kryen krime kundër njerëzimit në Kosovë. Nuk kishte kurrë një de-nazifikim të Beogradit. Drejtësia për viktimat e luftës në Kosovë nuk do të arrihet kurrë nëse drejtësia vazhdon ta fsheh gjithë ato krime nën qilim. Nëse nuk ka dënim për krimet e Beogradit të kryera në Kosovë nuk do të ketë kurrë pajtim dhe këta fashistë në Beograd do të vazhdojnë të mohojnë krimet që kanë kryer.

Si Ministër i Punëve të Jashtme kam vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre".

Në një intervistë me “Vesti Rusia”, Daçiç shprehej ndër të tjera se ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejtë i bombardimeve të NATO’s kundër forcave serbe në Kosovë.

“Serbët ishin të lumtur kur Donald Trump fitoi zgjedhjet. Serbët e urrejnë familjen e Clintonit. Kur filluan bombardimet, Clinton, Madeleine Albright dhe Tony Blair arsyetuan në mënyrë të gabuar fillimin e krimeve dhe agresionit të forcave serbe, të cilat nuk janë të vërtetuar në gjykatën ndërkombëtare në Hagë. Ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejt i bombardimeve. Ata në mënyrë hipokrite e quajtën këtë veprim ‘Engjëlli i Mëshirës’”, u shpreh Daçiç.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco