Ndërron jetë 'plaku i shtëpisë së verdhë'/ Vite mes akuzash dhe vuajtjesh. FOTO

Ndërron jetë 'plaku i shtëpisë së verdhë'/ Vite mes akuzash dhe vuajtjesh. FOTO

18:24, 23/04/2019

Sot ndërroi jetë në fshatin Gurrë e Vogël në Burrel, Abdulla Katuci. 88-vjeçari prej disa vitesh orvatej pranë institucioneve shtetërore për të sqaruar akuzat e ngritura ndaj kësaj familje.

Me shqetësimin se ai dhe shtëpia e tij disa vjeçare janë bërë “tabelë qitje” nga Carla Del Ponte, serbët dhe disa media Abdulla Katuci u lodh së kërkuari pse “prokurorë serbë hetonin në Shqipëri mbi supozimet se rreth 300 serbë janë marrë peng dhe janë dërguar në një fshat të Burreli ku u janë marrë organet e brendshme për trafik”.

 “Jam përgojuar, thoshte Katuci. Kam dëgjuar se serbët kanë kërkuar të vijnë në shtëpinë time. Dera ime për miq e mysafirë të ndershëm është e hapur, por nuk mund të pres njerëz që marrin nëpër këmbë nderin e familjes time”.

Foli Katuci herë pas here për kontrollin e ushtruar pa lejen e prokurorisë, për nxjerrjen jashtë të gjithë pjestarëve të familjes në të ftohtin e shkurtit 2004, për tentativën e hetuesve të huaj për të shkatërruar dyshemenë e shtëpisë, për hapjen e varreve shumëvjecare, për hedhjen e solucioneve në shtëpi, etj.

Kërkoi për vite me radhë të takohej me Kryeministrin Berisha dhe njerëz të stafit të tij e kanë garantuar plakun nga Mati se ai do të priste.

“Sipas gjykimit tim, shprehej Katuci, palë në gjyqin me Del Ponten duhet të ishte shteti shqiptar. Akuza bëhet për trafik organesh në Shqipëri. Nëse prokurorët serbë nuk pushojnë me deklaratat e tyre denigruese, autoritetet e shtetit tonë nuk kanë mbajtur qëndrimin e duhur”.

Ish deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Qemal Minxhozi i është ndodhur pranë gjatë vitit 2009, ndërkohë që as Kryeministri, as Kryetarja e Kuvendit, as Kryeprokurorja nuk i kanë ardhur në ndihmë në këto ditë të vështira. Duke mos gjetur paqe për akuzat që janë bërë në adresë të familjes së tij dhe duke mos patur asnjë mbështetje nga shteti shqiptar plaku matjanë detyrohet të betohej: “Nëse ajo cka thonë serbët ka ndodhur në shtëpinë time, atëherë më vrisni”.

Abdulla Katuci u dërgoi letra asokohe të gjitha autoriteteve të shtetit, Presidentit Topi, Kryetares se Kuvendit, Topalli, Kryeministrit Berisha, Kryeprokurores Rama, Avokatit të Popullit, Dobjani, Kryeministrit të Kosovës Thaci, ish Kryeprokurores së Hagës, Del Ponte.

 88-vjecari nga Gurra e Matit u largua nga jeta pa i sqaruar akuzat që Del Ponte dhe serbët i bënë për transplant organesh në banesën e tij.  /Tirananews

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco